Romë, 6 Janar NOA - Ministri i jashtëm i Italisë, Fratini ka deklaruar se shumë shpejt në aeroportet e Italisë do të mbërrijnë skanerët e trupi, mjete këto të afta për të zbuluar armë dhe eksplozivë fshehur nën veshje dhe që nuk dallohen nga detektorët metalikë. Instrumentet e kontrollit trupor të cilat po përdoren tashmë në SHBA dhe Britani sipas Fratinit duhet të fillojnë të përdoren shumë shpejt dhe në Itali.
Në vazhdën e sulmit terrorist të dështuar të Krishtlindjeve në fluturimin Amsterdam-Detroit, Italia i thotë po teknologjisë së re.
Skaneri i trupit - thotë Ministri i Punëve të Jashtme Franko Fratini - "janë një masë e nevojshme, unë mendoj se ne duhet të jemi të pajisur mirë kundër terroristëve,
të cilët për fat të keq, kanë burime të mëdha të financimi, të marra këto edhe nga rrëmbimet apo pengjet, dhe mund të blejnë materiale të sofistikuara"
Sipas Fratinit institucionet duhet të jenë të mirë përgatitura për të garantuar sigurinë, duke përdorur të gjitha teknologjitë që kanë në dispozicion
Lidhur me pretendimet e ngritura në Angli nga grupe të ndryshme në mbështetje të privatësisë, sipas të cilave skanerët e trupit shkelin ligjet për mbrojtjen e të miturve, që ndalojnë krijimin e imazheve që konsiderohen të pahijshëm për fëmijët, Frattini thotë se këto duhet të tejkalohen - "e drejta për intimitet është e patjetërsueshme, por shpëtimi i një avioni në fluturim është më i rëndësishëm".
I këtij mendimi është dhe Ministri i Brendshëm italian Maroni i cili ka thënë : "Unë mendoj se ne mund të gjejmë një zgjidhje reale, dhe të balancuar lidhur me skanerat e trupit dhe unë jam i mendimit që këto instrumente kontrolli të vendosen së paku në Fiumicino dhe Malpensa, nga ku nisin të ashtuquajturat "fluturime delikate" ato direkt në SHBA, Angli dhe Izrael.
Vendimi pritet të diskutohet të enjten, kur do të mblidhet Komiteti Ndërministror Italian për Sigurinë Ajrore.
k.a/NOA