English

Italia fillon tërheqjen e 500 ushtarëve nga KFOR-i

Prishtinë, 6 janar, NOA - Italia ka filluar ditët e fundit tërheqjen e 500 ushtarëve të KFOR-it, fakt ky i deklaruar më 10 dhjetor nga ministri i Mbrojtjes, Ignazio la Russa, gjatë seancës së mbajtur me ministrin e Punëve të Jashtme, Franco Fratini në Dhomën e Senatit. Sipas këtij plani, më 10 janar, komandant i i Forcave Shumëkombëshe të Perëndimit, Gjeneral Roberto D'Alessandro do të zëvendësohet nga Kolonel Vincenzo Grasso dhe në të njëjtën kohë kontingjenti italian do të marrë emrin e ri "Forcat luftarake Shumëkombëshe" duke kaluar nga niveli i brigadës në nivel regjimenti.

"Pas aprovimit të Aleancës Atlantike për reduktimin e forcave të KFOR-it nga 15.000 në 10.000 vetë, - tha numri një i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Italiane, - Italia, ashtu si dhe kombet e tjera që marrin pjesë në këtë operacion do të reduktojë gradualisht kuotën e saj deri në 500 njësi, ndërsa reduktimi i kuotave do të kryet në mënyrë graduale dhe të koordinuar".

Bëhet fjalë për përshtatje ushtarake lidhur me situatën aktuale në Kosovë. Kjo e fundit ka bërë përparim të konsiderueshëm, dhe kjo situatë bën të mundur zvogëlimin e forcave të angazhuara, pa kompromentuar aftësinë për t'iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme. Mbrojtjen e vendeve që identifikojnë kulturën dhe traditat është një nga detyrat kryesore të KFOR-it.

Në këtë kontekst, kontingjenti italian do të vazhdojë të sigurojë, pa zvogëlimin e mjeteve luftarake, ruajtjen e katër vendeve të kultit të Kishës Ortodokse Serbe: manastirin e Visokit në Deçan, manastirin Goriok, manastirin e Patriarkanës dhe atë Budisavic në Pejë. Italia do të vazhdojë të mbajë rolin drejtues të sektorit perëndimor nën përgjegjësinë e KFOR-it. a.k/NOA

KOMENTE