Tiranë, 6 janar NOA - Këshilli i Ministrave miratoi sot ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet.
"Sot do të krijojmë Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga kjo zonë.
Nuk është kurrë në natyrën time të lëshoj nota pesimiste, por nuk mund të mos paralajmëroj situatën. Kemi 12 ditë që bie shi pandërprerë. Prognoza thotë edhe 10 ditë të tjera. Ata që kanë jetuar në ato zona e dinë që, në këtë moment që flasim, janë me mijëra burime, të shterura tërësisht gjatë verës, që tani shndërrohen në burime të fuqishme dhe ushqejnë lumenjtë dhe do të vazhdojnë t'i ushqejnë edhe për një apo dy muaj të tjerë shumë më tepër" tha sot gjatë mbledhjes urgjente, kryeministri Berisha.
"Toka është si sfungjeri, thith dhe pastaj e rikthen të tërën. Detyra jonë është të parandalojmë katastrofën. Kjo është në detyrimin tonë më madhor. Kjo zonë duhet të evakuohet. Sot, krahasuar me dje, janë dyfishuar prurjet.
Ndonëse nuk janë të larta, por janë dyfishuar dhe duhet të përgatitemi për të gjitha situatat. Kursimi i jetës së njerëzve dhe të gjësë së gjallë pas njerëzve.
Ndaj ju bëj thirrje komunave të Shkodrës dhe të gjithë komunave të Kurbinit, të Krujës dhe kudo të solidarizohen, të ndihmojnë me mundësitë e tyre, sidomos për bagëtitë, se shteti do të ndërhyjë edhe tek bagëtitë, ndërsa për sa u përket qytetarëve ne do t'i strehojmë në hotele, konvaleshenca, konvikte në kushte optimale" tha më tej Berisha.
Ndërkohë që me propozimin e kryeministrit Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, për përballimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shumta dhe të vazhdueshme të shiut, të rëna ditët e fundit në vendin tonë dhe përmbytjet.
Ky Komitet do të kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe në përbërje do të ketë:
ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministrin e Financave, ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ministrin e Mbrojtjes, ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministrin e Shëndetësisë, ministrin e Arsimit dhe Shkencës.
Ndërsa është ngarkuar Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile për hartimin e menjëhershëm të një plani masash për përballimin e kësaj situate.
k.k/NOA
Më shumë mbi argumentin e ditës:
Ministri i Brendshëm publikon situatën më të fundit pas përmbytjeve
Ushtria, intensitet punimesh në zonat e përmbytura në Shkodër dhe Lezhë
Ministria e Energjetikës: Opozita shpif, nuk kemi importuar energji elektrike
Përmbytjet, Dhoma e Tregtisë apel biznesit: Ndihmoni banorët
PS, Braçe apel banorëve: Largohuni, rreziku është shumë i lartë
Vetëm derdhja e ujit shmang katastrofën
Presidenti Topi: Banorët e dinë që situata do të vështirësohet, duhet të evakuohen
PDK: Solidaritet me familjet e dëmtuara, Qeveria e paaftë dhe e papërgjegjshme
Përmbytjet, Forcat e Armatosura evakuojnë banorët
Ministria e Brendshme: Situata në veri drejt normalizimit, u shpërndanë ndihma
Përmbytjet, Kosova ndihmon Shqipërinë me forca sigurie dhe varka shpëtimi
Përmbytjet, Topi: Situata emergjente, të evakuohen banorët
Përmbytjet, Veliaj: Të kompensohen familjet, Prifti të japë dorëheqjen
Kryeministri u ndan ministrave detyrat për planin e ndërhyrjes në zonat e përmbytura
Berisha: Përmbytjet, situatë emergjente reale. Katastrofa qëndron si shpata e Demokleut
Deputetët socialistë inspektojnë zonat e përmbytura: "Berisha mos përhapë panik"
Reshjet e mëdha të natës në Shkodër përkeqësojnë gjendjen e përmbytjeve në zonë