English

Një rrugë pa kthim

"Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, duhet të shfaqet me doemos në zonën e përmbytur, por jo me çizme dhe çadër, por me pranga në duar për ata zyrtarë të papërgjegjshëm që çuan në këtë situatë"

Nga Mero Baze*

Politika shqiptare është ndarë sot në shkaqet që çuan në tragjedinë që përmbyti zonën e nënshkodrës dhe është bashkuar në thirrjet për solidaritet për viktimat e kësaj katastrofe. Opozita dhe Presidenti i Republikës i mëshuan fort arsyeve të keqmenaxhimit, ndërsa kryeministri dhe zyrtarët përgjegjës vazhdojnë të justifikohen me arsyetimin e motit të keq. Pavarësisht dy opsioneve të ndryshme që kanë për shkaqet, të gjitha palët, presidenti, qeveria media dhe opozita i qëndrojnë idesë se banorët e nënshkodrës duhet të evakuohen urgjent, pasi tanimë rruga e vetme për të ulur koston e kësaj katastrofe është të shpëtojmë jetët e njerëzve.

Fakti që Diga e Fierzës vazhdon të jetë mbi nivelin e lejuar të Sigurisë Kombëtare, do të thotë se e keqja më e vogël që mund të ndodhë është të vazhdojë përmbytja e zonës, në mënyrë të kontrolluar, e cila është një pasojë shumë më e vogël se mbytja e zonës nga një vërshim jashtë kontrolli prej Digave, që do të ishte një Cunam për Shqipërinë Veriperëndimore.

Në këto kushte ka shumë rëndësi të rritet solidariteti për zonat e dëmtuara, të rritet presioni mbi qeverinë për transparencë si për shkaqet që çuan në katastrofë ashtu dhe për mënyrën se si po menaxhohet situata dhe mbi të gjitha t'u gjendemi pranë të gjithë qytetarëve që janë nën terrorin e ujit dhe humbjes së shpresave për të ardhmen e tyre. Por që debati publik të mos zhurmojë debatin për planin e shpëtimit, duhet që drejtësia paralelisht të nisë vendosjen e sekuestros mbi gjithë dokumentacionin e menaxhimit të digave dhe të fillojë urgjentisht hetimin e shkaqeve që çuan në këtë katastrofë nga moszbatimi i rregullores së Digave të Larta, i cili është një dokument ligjor, shkelja e të cilit përbën vepër penale.

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, duhet të shfaqet me doemos në zonën e përmbytur, por jo me çizme dhe çadër, por me pranga në duar për ata zyrtarë të papërgjegjshëm që çuan në këtë situatë. Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, duhet t'i dorëzohet drejtësisë, për të shpjeguar arsyet që kanë çuar mbimbushjen e digës së Fierzës duke krijuar një situatë të kërcënimit të sigurisë kombëtare. Hapja e Portave të Shkarkimit është një proces teknik, i cili është jo vetëm i parashikueshëm, por i detyrueshëm me rigorozitet, në kohën e duhur për të shmangur katastrofa të tilla. Ai shoqërohet me kapacitet maksimal prodhues të digave dhe me një grafik që rregullon regjimin hidrik të Liqeneve të Drinit.

Prokuroria duhet të hetojë urgjentisht të gjithë këtë procedurë dhe të shikojë se ku është shkelur rregullorja e menaxhimit të Kaskadave dhe ajo e shkarkimit të digave. Ky hetim ka rëndësi për të kuptuar nëse gjendemi para një situate korruptive, apo para një situate të prodhuar nga papërgjegjshmëria.

Në të gjitha rastet, kjo është një katastrofë e shkaktuar nga mungesa e menaxhimit njerëzor të situatës dhe vepra penale është e prekshme. Mijëra hektarë janë nën ujë dhe qindra mijëra shtëpi janë përmbytur.

Fatura financiare e kësaj katastrofe është shumë e lartë dhe prokuroria nuk mund të neglizhojë fillimin e hetimeve për këtë katastrofë. Duke iu bashkuar dhe një herë thirrjes së qeverisë për evakuim të banorëve të zonës, duhet të shpjegohet qartë situata, se rruga e vetme për të shpëtuar nga katastrofa e madhe është hapja e portave të shkarkimit për të ulur nivelin e ujit në Digë.

Pa u ulur ky nivel, nuk ka më asnjë siguri se nuk do të vijë katastrofa e madhe. Që ky bilanc të përfundojë vetëm me përmbytje dhe dëme materiale, evakuimi i banorëve duhet të bëhet urgjent.

Po kaq urgjent drejtësia duhet të nisë çështjen penale për të çuara fajtorët para drejtësisë, duke e nisur nga Ministri Dritan Prifti, pasi nuk mund të ketë solidaritet me viktimat, pa u vendosur drejtësia ndaj fajtorëve të kësaj katastrofe.

(*) Dërguar nga autori

Shënim: Opinionet e rubrikës nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin e NOA

KOMENTE