English

Obama: Akti terrorist mund të parandalohej, kishte informacion

Uashington, 6 janar, NOA - Qeveria amerikane pati informacion të mjaftueshëm për të zbuluar komplotin dhe mundësisht për të penguar sulmin terrorist në një avion gjatë ditës së Krishtlindjeve, por organet e zbulimit dështuan në këtë pikë. Një deklaratë të tillë presidenti i SHBA-ve, Barak Obama e ka bërë gjatë një takimi që zhvilloi me anëtarë të kabinetit dhe drejtues agjencish të përfshira në aspekte të ndryshme të aviacionit dhe anti-terrorit.

Sipas tij, organet e zbulimit kishin informacione rreth një sulmi të mudëshëm terrorist ndaj objektivave amerikanë, por askush nuk vuri në vijë të gjitha të dhënat.

E lidhur me këtë, ai lëshoi apelin se organet e zbulimit duhet të punojnë më mirë, duke theksuar se kemi të bëjmë me jetë amerikanësh.

"Do ta pranoj se zbulimi për nga vetë natyra është jo i përkryer. Por po qartësohet gjithnjë e më shumë se informatat nuk u analizuan terësisht. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të toleroj", tha ai.

Në fund të takimit, Obama bëri me dije se kërkon që reformat e urdhëruara prej tij në sektorin e zbulimit të zbatohen menjëherë në mënyrë që kjo të mos ndodhë më dhe që të parandalohen sulmet në të ardhmen.

Ndër të tjera, ai përsëriti edhe thirrjen për të mundur, çmontuar dhe shkatërruar Al-Kaedën.

n.e/NOA

KOMENTE