Nga viti 1997 në 2007, tregtia midis BE-15 dhe dhjetë vendeve të reja është rritur tri herë, nga 175 miliardë euro në rreth 500 miliardë euro. Për të njëjtën periudhë, tregtia midis vetë vendeve të reja pjesë të BE-së është rritur pesë herë, nga 15 miliardë në 77 miliardë euro. Këto mundësi dhe tregje të reja nga procesi i integrimit kanë kontribuar në rritjen ekonomike me rreth + 1,5% në vendet e reja
Nga Arben Malaj Viti 2009 kishte dy përvjetorë të rëndësishëm për Evropën; 20 vjetorin e rënies së murit të Berlinit dhe 5 vjetorin e zgjerimit të BE'së me dhjetë vende të reja. Një moment specifik në këta përvjetorë ishte mbivendosja e tyre me krizën më të rëndë ekonomike që ndodhi pas depresionit të madh të viteve 1929-1933. Siç ndodh natyrshëm në përvjetorë të ngjarjeve kaq të mëdha historike, ky moment përqendron shumë analiza dhe diskutime për arritjet dhe dështimet. Mundësitë janë të dyanshme, njëra të vlerësosh arritjet dhe tjetra të fokusohesh tek vështirësitë, zhgënjimet apo dështimet. Ndoshta për ne shqiptarët, jo thjesht për vonesat historike, por sidomos për sfidat e së ardhmes, fokusimi tek avantazhet dhe përfitimet e integrimit është më i dobishëm. Ky këndvështrim merr vlerë edhe në kontekstin e realitetit politik pas zgjedhjeve 2009, ku duken shenja të qarta se mund të kemi sërish vonesa historike në integrimin tonë. Një prej tyre ishte dështimi për të përfituar nga politika e heqjes së vizave, siç përfituan vendet fqinje. Dështimi i dytë mund të jetë impakti negativ i keqqeverisjes dhe krizës politike në vonesat për të përfituar statusin e vendit kandidat. Procesi sapo ka filluar me përgatitjen e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, i cili do të përgatisë opinionin për vendimmarrjen politike nëse Shqipëria është gati për të fituar statusin e vendit kandidat. Risku bëhet më i qartë nëse mbajmë parasysh se çdo vonesë në zgjidhjen e krizës politike vështirëson një opinion pozitiv nga Komisioni. Çdo vonesë mund ta sjellë vendimmarrjen e BE-së në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, çka do ta bëjë më të vështirë dhënien e vendimit politik për statusin e vendit kandidat përpara zgjedhjeve. Pse këto vonesa kanë kosto? Më konkretisht, cilat janë disa nga përfitimet e rënies së Murit të Berlinit dhe anëtarësimit në BE? Përfitimi politik i integrimit ka qenë presioni pozitiv mbi faktorët politikë të çdo vendi për reforma të rëndësishme. Është rritur konsensusi kombëtar për reforma strukturore që përmirësojnë funksionimin demokratik dhe që e bëjnë ekonominë sa më funksionale përballë konkurrencës në rritje. Si i vlerësojnë dhjetë vendet e reja përfitimet nga këto dy zhvillimeve historike? Të pyetur lidhur me rënien e Murit të Berlinit, pavarësisht pritshmërive të larta për ndryshime të shpejta dhe rrënjësore, qytetarët e tyre vlerësojnë se ky ndryshim i madh u ka sjelle përfitime të prekshme: 86% vlerësojnë lehtësimin e lëvizjes së lirë, 80% vlerësojnë rritjen e mundësive për biznes në çdo vend evropian, 79% vlerësojnë pozitive rritjen e demokracisë dhe lirisë dhe 66% vlerësojnë se jeta e tyre është sot më e mirë se në 1989. Lidhur me efektet e zgjerimit të BE-së, më shumë se 92% vlerësojnë si efekt pozitiv lëvizjen e lirë, 76% vlerësojnë se ky integrim ka ndihmuar me modernizimin dhe rritjen e ekonomisë së vendeve të tyre, 73% vlerësojnë se ky integrim lehtësoi përhapjen e vlerave të demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Cilat kanë qenë përfitimet konkrete ekonomike të vendeve të reja anëtare, sipas analizave të vetë Komisionit Evropian? Në vitet 1999-2003 rritja ekonomike në vendet e reja të BE'së ka qenë 3.5%, ndërsa në vitet 2003-2008 është rritur në 5.5 %, ose ka qenë 50% më e lartë. Në 1999 të ardhurat për frymë te vendet e reja ishin vetëm 40% e të ardhurave për frymë të BE-15. Në 2008 ato kanë arritur në 52%, ose 30% më të larta. Në 2007 më shumë se 80% e eksporteve të vendeve të reja ishin për tregun e BE'së. Vendet e BE-15 patën një rritje të shitjeve në vendet e reja nga 4.75 % të totalit të shitjeve në dekadën e kaluar, në rreth 7.5% në vitin 2007. Papunësia në vendet e reja të BE'së zbriti nga nivele të larta, në rreth 7% në vitin 2007. Nga viti 1997 në 2007, tregtia midis BE-15 dhe dhjetë vendeve të reja është rritur tri herë, nga 175 miliardë euro në rreth 500 miliardë euro. Për të njëjtën periudhë, tregtia midis vetë vendeve të reja pjesë të BE'së është rritur pesë herë, nga 15 miliardë në 77 miliardë euro. Këto mundësi dhe tregje të reja nga procesi i integrimit kanë kontribuar në rritjen ekonomike me rreth + 1,5% në vendet e reja. Zgjerimi i vitit 2004 vërtetoi si joreale frikën nga hapja e tregjeve të punës dhe lëvizjes së lirë. Flukset e mëdha të emigranteve rezultuan jo me më shumë se 1% të popullsisë së aftë për punë në vendet e BE'së. Pas anëtarësimit të dhjetë vendeve të reja, 50% e emigrantëve të kohëve të fundit në UK janë kthyer në vendin e tyre. Përfitimet reciproke do të veprojnë edhe për ekonomitë e vendeve tona. Porta e BE'së është e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor. Krizat tona të herëpashershme e bëjnë atë të duket shumë larg. Ndërsa kriza politike aktuale e bën më të gjatë dhe më të lodhshme rrugën deri në portën e hapur të Brukselit.Â