English

Vritet nga mafia gazetari bullgar i skandaleve, Bobi Cankov

Sofje, 6 janar, NOA Nga Milena Selimi - Gazetari bullgar i radios dhe televizionit, Bobi Cankov, i njohur ndryshe edhe njeriu i skandaleve radiofonike, është vrarë në Sofie. Lajmin e bën të dituar Agjencia BTA e lajmeve bullgare, duke iu referuar burimeve të policisë. Gazetari është vrarë në Sofie në bulevardin Stambolijski, një nga rrugët qendrore të kryeqytetit bullgar, jo shumë larg Pallatit të Drejtësisë, me dy plumba në kokë.

Gazetari shoqërohej edhe nga dy truprojat e tij, të cilët janë plagosur rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Prokuroria flet për një vrasje të stilit mafioz. Gazetari kishte publikuar disa investigime rreth emrave të dëgjuar të biznesit bullgar të lidhur me afera te dyshimta. Kohë më parë ai i kishte botuar edhe një libër për mafian bullgare, (për të cilën flitet se ai edhe mund të kishte patur lidhje nga profesioni i tij) dhe po priste të botonte librin e tij të dytë, ku tregonte mbi tregtinë e drogës dhe rrugët e këtij trafiku që përshkonin edhe Bullgarinë. Â

Gazetari bullgar Bobi Cankov ka qenë i rrezikuar për jetën, në shënjestër të atentateve të shumta edhe herë të tjera, por ka mundur të shpëtonte.

Nga dalja e tij televizive në një emision të drejtpërdrejtë në Nova Televizija, nëntorin e shkuar, Cankov u pa të lëvizte me truproja dhe makinë të blinduar.

Dy vjet më parë, nga të panjohur që nuk u zbuluan akoma edhe sot, po në të njëjtën mënyrë është likuiduar edhe shkrimtari Georgi Stoev, autor i disa librave që flisnin për krimin e organizuar në Bullgari.

Policia, sipas BTA-së ka tashmë edhe tri pista me emrat e autorëve, që për arsye hetimi nuk bëhen të ditura.

Bobi Cankov, 30 vjeç kishte nisur karrierën e tij radiofonike që në moshën 15-vjeçare. Ishte i martuar dhe në fund të janarit ishte në pritje të lindjes së djalit të parë.

Â

Â

Â

KOMENTE