English

Bashkë për të shpëtuar jetët e njerëzve

Është ora që çdo kryebashkiak e kryekomunar i Partisë Socialiste të organizojë mbledhjen e ndihmave dhe të vendoset në kontakt me shtabin e koordinimit të ndihmës së Partisë Socialiste që do të funksionojë 24 orë edhe në Tiranë edhe në Shkodër

Nga Edi Rama

Kryetar i Partisë Socialiste

Në këto orë dramatike për vendin, e posaçërisht për zonën veriore që është kthyer në një zonë të kërcënuar më seriozisht se kurrë nga një katastrofë tragjike, ka vetëm një fjalë kyçe:

Të gjithë të bashkuar për të shpëtuar çdo jetë njeriu.

Nuk është ora e luftës politike për nxjerrjen e përgjegjësive për këtë dramë të jashtëzakonshme, e cila s'ka të bëjë as me ngrohjen globale as me zemërimin e Zotit, po fatkeqësisht thjesht dhe drejtpërdrejt me keqqeverisjen.

Por, është ora kur politika duhet të verë në rendin e ditës ndihmën për njerëzit që janë ende në një rrezik, të cilin, përsëri për faj të qeverisë e të mungesës së plotë të transparencës, askush nuk e imagjinon dot sa i madh mund të jetë.

Është ora e marrjes së përgjegjësisë qytetare e patriotike, nga çdo parti, nga çdo përfaqësues i popullit, në nivelin vendor apo qendror, nga veriu në jug, në të gjithë Shqipërinë, nga çdo qytetar e qytetare e këtij vendi që është jashtë zonës së rrezikut, kudo ku jeton, në Shqipëri apo jashtë, për të ndihmuar motra e vëllezër në rrezik, shqiptar e shqiptare që duhet të lënë shtëpitë e pronat në mëshirën e fatit për të shpëtuar gjënë më të rëndësishme, jetën e tyre.

Partia Socialiste ka hapur në mesditë dy konto bankare, në dy banka të ndryshme, për të mbledhur ndihma financiare për familjet e përmbytura.

Çdo shumë, sado e vogël, është shumë e madhe sot për ato familje të dëshpëruara që nuk duhet të ndjehen vetëm në këtë orë të tmerrshme.

Çdo anëtar i partisë sonë, në Shqipëri apo emigracion, të derdhë në këto konto kontributin e tij.

Çdo simpatizant apo qytetar që dëshiron një rrugë për të dhënë ndihmën e tij, le të përdorë kontot bankare në ndihmë të familjeve të përmbytura në veriun e Shqipërisë.

Sistemi i lëvrimit të shumës së mbledhur drejtpërdrejt tek familjet në nevojë do të jetë 100% transparent dhe do të bëhet në kohën e duhur nga bankat me kritere shumë rigoroze.Â

Është ora që çdo kryebashkiak e kryekomunar i Partisë Socialiste të organizojë mbledhjen e ndihmave dhe të vendoset në kontakt me shtabin e koordinimit të ndihmës së Partisë Socialiste që do të funksionojë 24 orë edhe në Tiranë edhe në Shkodër.Â

Është ora që çdo degë e Partisë Socialiste, në Shqipëri apo në emigracion, të organizohet për të nxitur mbledhjen e ndihmës financiare, duke adresuar në filialet e bankave përkatëse çdo anëtar të partisë, çdo simpatizant e qytetar që dëshiron të ndihmojë. E përsëris, nuk ka rëndësi madhësia e shumës që jep secili, por numri i atyre që kontribuojnë.Â

Është ora që ta ndërtojmë një lëvizje kombëtare solidariteti, me çdo gjë sado të vogël që mundemi. Të tregojmë se dimë të bëjmë për njëri-tjetrin kur ditët e këqija vijnë për këdoqoftë ndër ne.

Është ora që çdo familje që ndodhet në zonën e rrezikut të largohet, që çdo burrë e çdo grua, çdo i moshuar e fëmijë të evakuohet dhe të besojë se ne nuk do t'i ndahemi qeverisë deri kur, për secilën prej familjeve, një për një, dëmi të jetë kompensuar deri në qindarkën e fundit.

Është ora për të mos ndenjur në mes të rrezikut nga frika e moskompensimit, po për të dalë nga zona e rrezikut, sepse humbja e jetës është e vetmja humbje e pariparueshme.

Është ora që qeveria t'i lerë justifikimet e kota përpara realitetit sa të dhimbshëm aq edhe të qartë të asaj që po ndodh dhe të garantojë transparencë të plotë, për gjithçka.

Për çdo të dhënë në terren, për çdo lëvizje të planifikuar në kërkim të daljes nga situata, për çdo vendim të studiuar nga specialistët.

Për çdo element të kësaj situate ku Sali Berisha duhet t'ua kursejë shqiptarëve edhe panikun, edhe broçkullat, edhe gënjeshtrat, edhe avazin e tij vulgar kundër opozitës.

Ashtu siç duhet t'u kursejë edhe daljen në publik të ministrit të tij të energjetikës. I cili nëqoftëse nuk heq menjëherë dorë, së paku nuk duhet lejuar të ketë më dorë.

Është ora që qeveria të lëvizë konkretisht me kalkulimin e dëmeve, përcaktimin e kritereve të kompensimit financiar të çdo dëmi, bërjen transparente të tyre një orë e më parë dhe madje vendimmarrjen për lëvrimin e shumave të para në mënyrë që të inkurajohen për t'u larguar nga zona e rrezikut të gjithë ata që i friken, me të drejtën e Zotit, gënjeshtrës së radhës së këtij kryeministri.

Është ora që Presidenti i Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kjo katastrofë nuk është për shkak të zemërimit të natyrës, po për shkak të keqqeverisjes dhe njerëzit e vendi nuk duhet të paguajnë asnjë kosto shtesë po për këtë shkak.

Është ora që Prokurorja e Përgjithshme të mos lejojë humbjen apo tjetërsimin e asnjë prove për përgjegjësinë e pashmangshme të kujtdoqoftë që paguhet nga shqiptarët për t'iu siguruar jetën, pronën, të ardhmen, jo për t'i përmbytur për shkaqe që duhet të bëhen transparente fije për fije dhe duhet të ndëshkohen një për një.

Është ora që njëzet vjet pandëshkueshmëri për gjithfarë katastrofash jonatyrore të mbarojnë dhe shpresa se ky vend mund të bëhet dhe se ndëshkimit të ligjit nuk i shpëton asnjë keqbërës, aq më tepër keqbërësit e veshur me pushtet, të mos vdesë edhe për njëzet vjet të tjera.

Hetimet duhet të fillojnë urgjentisht, ndërkohë që politika duhet të mos ngatërrojë radhën e punëve.

Në fillim jetët e njerëzve. Pastaj  përgjegjësitë e pushtetarëve. Një për një. Deri në fund.

Â

KOMENTE