English

Ç'mund t'i ofrojë vendit opozita?

Shqiptarët kanë kuptuar se asgjë nuk është e nuk mund të jetë e qëndrueshme pa zgjedhje të lira. Varfëria gjen ngushëllim, shpresë dhe perspektivë te zgjedhjet e lira. Ndërkohë që pa to, zor se sheh dritë edhe vetë pasuria

Nga Preç Zogaj Opozita është alternativa e pushtetit. Do të mjaftonte kjo për ta marrë shumë seriozisht punën e saj. Por, nuk mbaron këtu. Opozita i ofron vendit kontrollin dhe kundërshtimin e arsyeshëm të qeverisë. Sipas rastit, opozita ofron propozime, nganjëherë edhe zgjidhje. Zgjidhje për çfarë? Për ndonjë pikë të programit të saj? Jo, nuk është e natyrshme, as e mundur. Sa kohë që nuk ka fituar, opozita nuk ka kontratë me zgjedhësit për çështje të programit. Kontratën dhe detyrimin ndaj zgjedhësve e ka shumica. Janë të ndara punët. Qeveria nuk mund të bëjë opozitën, opozita nuk mund të bëjë qeverinë. Përndryshe nuk do ta merrte vesh qeni të zonë. Kur atëherë priten zgjidhje edhe prej opozitës? Mund të numërohen disa raste, kur opozita jo vetëm ka tagër të njëjtë me atë të qeverisë, por edhe spikat për shkak të rolit të saj. Në këtë çast mendja menjëherë na shkon te zgjedhjet e lira, pa të cilat as ia vlen të jetohet. Opozita i ka në patronazh ato. Zgjedhjet janë puna e saj. Ajo i mbulon, ajo i siguron në pikëpamje të ligjshmërisë, edhe pse duhet përfshirja e domosdoshme e qeverisë. Por, qeveria vështirë se do ta vinte ujët në zjarr, nëse nuk do të ndihej opozita. Pse ta vrasë mendjen qeveria, sa kohë që zgjedhjet, ashtu siç janë bërë, e kanë nxjerrë të fituar? Kështu janë rregulluar këto punë në përgjithësi. Kështu ndodh edhe në kohëra të qeta, edhe në vende relativisht të stabilizuara. Në kohëra të trazuara apo në vende në krizë siç është aktualisht Shqipëria, roli i opozitës si prodhuese zgjidhjesh shumëfishohet. Opozita shqiptare ka marrë përsipër të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të vendosë njëherë e përgjithmonë standardin e kutive të hapura për të gjitha zgjedhjet që do të zhvillohen në Shqipëri tani e tutje. Pa rënë në iluzione, thjesht duke njohur natyrën e manipulimit të zgjedhjeve në një vend ende të varfër si Shqipëria, mund të themi se standardi i kutive të hapura shënon fillimin e një historie të re në Shqipëri. Kutitë e mbyllura janë llogorja më e sigurt e malavitës në gjithë piramidën shtetërore dhe shoqërore. Kutitë e mbyllura janë emblema e kalbëzimit të shtetit ligjor, të sistemit politik, të sistemit të drejtësisë. Opozita e ka shenjëstruar drejt të keqen e tyre. Nuk ka dyshim se me vendosjen e standardit të kutive të hapura, një pjesë e madhe e veseve, sëmundjeve dhe zakoneve të këqija politike të këtij vendi do të zhdukeshin vetë si turpe që nuk kanë ku fshihen më. Kushdo e kupton dhe e beson këtë. Opozita shqiptare e nisi mes debatesh, dilemash, madje edhe keqkuptimesh këtë betejë, por me kalimin e kohës ia ka dalë ta konturojë si një mision gjithëpërfshirës për shoqërinë dhe mbarë spektrin politik. Tani as kundërshtarët me të fortë të opozitës, pavarësisht se kanë një listë tjetër prioritetesh, nuk mund të thonë se opozita nuk ka vënë gishtin në plagën e madhe të tranzicionit tonë. Që nga shtatori deri në dhjetor, megjithëse në pamjen e jashtme të gjerave opozita dhe qeveria kanë qëndruar pa lëvizur në pozicionet respektive si në një betejë nervash, thellë-thellë ka ndodhur dhe po ndodh një përmbysje në krejt mendësinë shqiptare për zgjedhjet. Shqiptarët kanë kuptuar se asgjë nuk është e nuk mund të jetë e qëndrueshme pa zgjedhje të lira. Varfëria gjen ngushëllim, shpresë dhe perspektivë te zgjedhjet e lira. Ndërkohë që pa to, zor se sheh dritë edhe vetë pasuria. Opozita e ka shtruar me gjerë se ndërkombëtarët problemin. Lëvizja për standardin e kutive të hapura shkon përtej rekomandimeve të fundit të OSBE'së. Këto rekomandime, me gjithë vlerën që kanë, propozojnë shakanë e vjetër të përsëritjes së të njëjtave përmirësime nga zgjedhjet në zgjedhje. Ajo çfarë prishet sot e duhet përmirësuar nesër, është prishur e përmirësuar njëherë tjetër pardje dhe dje - kjo ka qenë dhe është spiralja e rekomandimeve. Çfarë ndryshon kur manipulatorët profesionistë hedhin sërish vota në kuti në emër të votuesve absent? Çfarë ndryshon kur me garancinë e kutive të mbyllura manipulatorët profesionistë shtojnë sërish vota në procesverbale me një të lëvizur të dorës? Asgjë. Prandaj është dashur që demi të kapet për brirësh, domethënë te kutitë. Këtë ka bërë opozita. Ajo ka bindur e po bind gjithnjë e me shumë në këtë pikë. Nuk është pak, po të mbajmë parasysh faktin se lëvizja për kutitë e hapura nuk është populiste, por civile me plot kuptimin e fjalës. Opozita është zotuar ta çojë deri në fund përpjekjen e saj, pavarësisht vështirësive apo edhe sakrificave që kërkohen. Kjo është gjithë çfarë mund t'i ofrojë opozita vendit dhe gjithë çfarë vendi pret prej saj. Natyrisht, opozita është çdo ditë në misionin e saj të natyrshëm për të folur, dëshmuar, kritikuar e denoncuar gjithçka që e shikon të arsyeshme, por lëvizja që ka nisur që në muajin shtator ka gjasa të shënojë historinë e saj të kësaj periudhe. Në të vërtetë, nëse kjo opozitë, opozita socialiste e Edi Ramës dhe aleatët e saj të majtë e të djathtë, ia dalin të vendosin standardin e transparencës për zgjedhjet, ata do t'i bëjnë vendit një shërbim me vlera të mëdha për demokracinë dhe civilizimin shqiptar. Ata, sigurisht, nuk mund ta arrijnë këtë sukses të madh, pa e ndarë me shumicën qeverisëse. Në qoftë se ekonomia nuk do t'i lërë në baltë të dyja palët, në kuptimin dhe figurative edhe konkret të fjalës, opozita dhe qeveria do të takohen paevitueshëm këtë vit në zgjidhjen e problemit që opozita ka shtruar. Sipas mendimit tim, kriza e marrëdhënieve mes shumicës dhe opozitës nuk do të vazhdojë në vitin 2010 ashtu siç u mbyll në vitin 2009. Qeveria do të fillojë të "dëgjojë më mirë". Arsyet janë disa, le të përmendim dy tre: Së pari, vetë planet e qeverisë nuk kanë ecur ashtu siç mund të kenë menduar në verë krerët e shumicës. Po të këndonte ekonomia, Berisha dhe Meta do ta bënin kollaj shurdhin dhe arrogantin ndaj opozitës. Pa paguar kushedi se çfarë. Viti i vjetër u mbyll dhe ky i riu ka nisur me një qeveri në rrethimin e emergjencave, që nuk janë vetëm të motit të keq. Kriza e likuiditeteve po shkon ku nuk mban duke prodhuar një zinxhir pasojash. Në këto kushte, historia e kutive po dimensionohet dhe ka shumë gjasa të mos duket më ogurzezë përkundrejt shpërthimeve të tjera nga kaceku i ekonomisë. Së dyti, kundërargumentet e përdorura nga qeveria për të prapsur opozitën kanë ardhur duke u zbehur, madje ndonjë "argument" si ai që ka përdorur Ilir Meta, sikur Shqipëria nuk është Suedi, tani shkakton të qeshura si një batutë. Shqipëria as në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë Suedi dhe as pas disa brezave nuk do të jetë Suedi. Po a do të thotë kjo që, meqenëse nuk jemi Suedi, ta bëjmë njëqindtën dyqind në procesverbalin e votimit dhe mandej të ngremë dolli për "miqtë tanë euroamerikanë!". Për mëngjes më pëlqejnë vezët e tiganisura, por ama ky mbeti i Marokut është burrë i mirë, thoshte Shvejku. Edhe argumenti i përdorur dendur nga Berisha në lidhje më një vendim të Kolegjit Zgjedhor nuk ka bindur. Komisionet hetimore parlamentare jo vetëm nuk janë sprapsur në punën e tyre përballë çështjeve të gjykuara nga gjykatat e ndryshme, por i kanë hetuar parlamentarisht ato çështje. Komisioni parlamentar "Sollaku" është vetëm një shembull. Hetimi parlamentar për kutitë s'ka asnjë lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe as e ndryshon situatën që ka prodhuar ai vendim. Kjo është e qartë. Në parim, kutitë mund t'i hapë kushdo që aplikon në bazë të ligjit për informimin. Kutitë nuk janë sekret shtetëror. Nuk mund të imagjinohet që një hetim kaq sovran siç është hetimi parlamentar të pengohet me arsye të rëndomta. Berisha dhe të tijtë kanë heshtur ndërkohë për ekzekutimin e neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor nga shumica qeveritare në KQZ dhe mandej edhe nga Kolegji Zgjedhor. Injorimi i neneve të konsensusit parazgjedhor është pikënisja e historisë që po jetojmë prej muajsh. Opozita mori mesazhin se ne ju dhamë diçka që do t'ua merrnim kur t'u nevojitej. Politika mban shumë, por nuk mban pabesi të tilla. E keqja e këtyre pabesive nuk është thjesht pasoja që prodhojnë, por fakti se pala qe e ka pësuar nuk mund të fillojë më nga e para, pa një kuadër krejt të ri garancish. Edhe argumenti i liberalizimit të vizave ka rënë. Tani është bërë e qartë se kushti i vetëm për të fituar lëvizjen e lirë është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit. Një arsye e tretë pse mund të shkohet drejt një marrëveshjeje gjatë këtij viti është edhe evoluimi i qëndrimeve të faktorit ndërkombëtar evropian. Ndërkombëtarët do të gjejnë akoma me shumë arsye në faktet dhe synimet që ka paraqitur opozita. Ndërkaq, shihet një prirje për të trajtuar krizën si një çështje të brendshme të palëve politikë shqiptare, gjë që nuk duket të jetë në të mirë të vendit. Së fundi, edhe opozita, ndërsa ka paralajmëruar se do të vijojë aty ku e la me protestat popullore, pritet të jetë më konkrete me propozimet e saj për hetimin parlamentar. Drafti linjë projektligji ka qarkulluar që në muajin tetor apo nëntor. Është koha që ky projekt të zyrtarizohet. Kjo është e rëndësishme për të implikuar shumicën në një qëndrim konkret ndaj principeve apo linjave bazë të projektit. Por, kjo është e rëndësishme edhe për të përcaktuar kuadrin e negociatave eventuale. Ka qenë një zakon i keq në Shqipëri që nga një gjendje lufte "për jetë a vdekje" është kaluar papritur në gjendjen e një pajtimi dhe ngazëllimi foshnjor, duke lenë pas dore synimet dhe përgjegjësitë. Kjo ka bërë që edhe paqen ta bëjmë keq, sikurse luftën. Së paku të rinjtë që po bëjnë vendin e tyre në opozitë duhet të sjellin një kulturë tjetër: kulturën e kompromisit si vlerë, që nuk shoqërohet me detyrimin e propozimeve.Â

KOMENTE