English

Dajç, stafi mjekësor qëndron në gatishmëri në rrugën kryesore

Tiranë, 7 janar NOA - Ministria e Shëndetësisë është vënë në gatishmëri të plotë për t'i ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura.

Kështu, stafi mjekësor, gjatë gjithë ditës së sotme, ka lëvizur me mjete lundruese të emergjencave civile, për në shtëpitë e pacienteve.

Në Komunën Dajç, gjatë ditës së sotme situata ka ardhur vazhdimisht duke u vështirësuar. Është ofruar shërbim mjekësor 24 orësh, një mjek dhe dy infermiere dhe gjithashtu, gjatë gjithë kohës ka pasur në gatishmëri një autoambulancë, kështu që është bërë i mundur transporti për në spitalin Rajonal të Shkodrës i dy pacientëve me probleme kardiake.

Në orët e mbasdrekës është bërë evakuimi i shumicës së popullatës, si dhe është vendosur që, stafi mjekësor dhe një autoambulancë, të qëndrojë në rrugën kryesore të hyrjes për në komunën e Dajçit, mbasi tashme kjo zonë është e përmbytur.

Në Komunën Guri i Zi, gjendja nuk ka qenë problematike, vazhdon shërbimi mjekësor 24 orësh.

Në fshatin Renc, të kësaj komune, në një repart ushtarak, janë strehuar rreth 55 Romë, banorë endacakë të cilët kohët e fundit kanë jetuar në një lagje periferike të Shkodrës, buzë liqenit, banesat e të cilëve janë mbushur me ujë.

Është inspektuar reparti ushtarak, dhe mjekja e kësaj zone ka bërë edhe kontrollin mjekësor për këto persona, nga ku rezultoi se, rreth gjysma e tyre ishin fëmijë dhe shumica prej tyre me infeksione të rrugëve të sipërme respiratore, për të cilët u pa e domosdoshme fillimi i mjekimit me antibiotike.

Mjekimi i nevojshëm për këto pacientë u bë i mundur falë një OJF me qendër në Shkodër (Malteser), e cila u përgjigj menjëherë nevojave.

Gjithashtu u bë e mundur edhe transporti me një autoambulancë e një pacienteje shtatzëne me apendicit akut.

Për momentin gjendja është nën kontroll.

Pranë murgeshave, në fshatin Shtoj është bërë e mundur akomodimi edhe i pjesës tjetër të këtij komuniteti (rreth 75 gra dhe fëmijë). Gjithë fëmijët e këtij komuniteti endacak janë të pavaksinuar, dhe do jetë menduar tu bëhet një dozë e pentavalentes.

Ndërkohë edhe në qarkun e Lezhës qendrat shëndetësore vazhdojnë të jenë në funksion normal.

k.k/NOA

Â

KOMENTE