Prishtinë, 7 janar NOA - Pjesëtarë të Njësisë për Kërkim-Shpëtim të FSK-së kanë udhëtuar për në Shqipëri për të ndihmuar në përballimin e vërshimeve të ujit.
Meqenëse situata emergjente në veriun e Republikës së Shqipërisë është përkeqësuar nga vërshimet e ditëve të fundit, Qeveria e Shqipërisë zyrtarisht ka kërkuar ndihmë emergjente humanitare nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Bazuar në këtë, ministri i FSK-së Fehmi Mujota në bashkërendim me autoritetet vendore, ka autorizuar komandantin e FSK-së që në koordinim me KFOR-in, të angazhoj Njësinë e Kërkim-Shpëtimit në kuadër të Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), pjesë e Brigadës për Reagime të Shpejta, me qëllim të ofrimit të ndihmës për autoritetet shqiptare. Njësiti i FSK-së me pajisjet e nevojshme ka udhëtuar për në Shqipëri me datën 5 janar 2010, ndërsa ka arritur në Vaun e Dejës në orët e vona të së njëjtës ditë.
Pas deklarimit të NATO-s për arritjen e kapaciteteve të para operacionale, kjo është hera e parë që FSK-ja merr pjesë në një mision humanitar jashtë shtetit të Kosovës. h.i/NOA