Tiranë, 7 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës i ka kërkuar kryeministrit, Sali Berisha të nisë në mënyrë urgjente dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga përmbytjet si dhe të çojë para drejtësisë përgjegjësit.
"Në emër të të gjitha familjeve të dëmtuara, që kanë humbur shtëpi dhe të mbjella, në emër të të gjithë atyre që sot vuajnë pasigurinë e të nesërmes, i kërkojmë Sali Berishës të nisë menjëherë dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara.
Nëse nuk janë përgjegjësi e Berishës reshjet e shumta, përgjegjësia e tij është mos mbajtja nën kontroll e argjinaturave të mbrojtjes nga baticat detare dhe mbrojtja e hidrovoreve nga këto batica, sidomos hidrovori i Tales, i cili është i pambrojtur.
Sali Berisha ta lerë teatrin, bashkë me Jozefinën, por të dëmshpërblejnë shqiptarët dhe të çojnë para drejtësisë përgjegjësit e kësaj katastrofe. Dëmshpërblimi të mos gjendet nga paratë e shqiptarëve, të cilët po e paguajnë shumë shtrenjtë nga xhepat e tyre paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e Berishës, por nga xhepat e majmur të oborrit" deklaroi Kadeli.
Sipas tij, Partia Socialiste është me deputetët e saj në çdo fshat ku ka emergjencë.
"Thirrja jonë për solidaritet të të gjithë shqiptarëve me gjendjen e krijuar është e përditshme. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri, të cilën qeveria aktuale nuk e ka.
Kemi ngritur grupet e vullnetarëve, edhe nga biznesi, për t'u ardhur në ndihmë banorëve që sot iu kërcënohet jeta dhe investimi i shumë viteve.
Ne po bëjmë detyrën karshi bashkëqytetarëve, por nuk mund të heshtim përballë neglizhencës së vazhdueshme të atyre që qeverisin. Dhe nuk do të heshtim deri në dëmshpërblimin e qindarkës së fundit për dëmet e krijuara për këta banorë nga kjo qeveri që së shpejti do përmbytet" përfundoi deputeti socialist i qarkut të Lezhës.
k.k/NOA
Â