Tiranë, 7 janar NOA - Ministri i Brendshme deklaroi sot se po kryhen evakuime masive në fshatra të Komunës Gur i Zi dhe në Komunën Dajç, ku janë vënë në dispozicion 15 mjete të ministrisë së Mbrojtjes.
Deri më tani janë evakuuar nga zonat e prekura nga përmbytja rreth 2500 persona.
Ministri i Brendshëm Basha, ministri i Mbrojtjes Imami dhe anëtarët e komitetit ndërministror vijojnë të jenë në terren në kontroll të situatës dhe për koordinimin e veprimeve.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ka garantuar sot opinionin publik për kontrollin e plotë të sigurisë dhe për mbështetjen për procesin e evakuimit të banorëve.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës do të zhvillojë një takim në mesditë me Kryetarin e Bordit Kombëtar të Digave të Italisë dhe specialistë të Energjitikës.
Ndërkohë, sot në përgjigje të kërkesës së Komitetit Ndërministror, Qendra Operacionale e Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive e NATO-s u ka komunikuar të gjithë vendeve anëtare situatën dhe nevojën për ndihmë të Shqipërisë.
Ndërkohë ministria e Brendshme deklaroi se gjatë ditës së sotme janë shtuar trupa të reja në zonën e operacionit, me 300 persona si dhe janë shtuar mjete të transportit 20 të tjera.
Gjithashtu janë dërguar 8 varka me motor, si dhe janë nisur për në operacion 3 helikopterë BO-105. Po vazhdon puna për evakuimin e popullsisë në zonën e Dajçit, Ana e Malit.
Po punohet në Velipojë dhe Shëngjin për përforcimin e argjinaturave.
Gjithsej forca në operacion janë 490 dhe 107 mjete.
Efektivi i policisë së Drejtorisë Policisë së Qarkut Shkodër ka kaluar në gatishmëri 100 për qind.
Në Komunën Velipojë, është kryer inspektimi i saj, nga ku rezultoi se, janë të rrethuar nga uji shumë familje në fshatrat Rrjoll, Baks dhe Galiq.
Personeli shëndetësor në zonë vazhdon te shpërndaje mesazhe për mospërdorimin e ujit të pijshëm por vetëm ujë të zier, ose të blihet në treg.
k.k/NOA
Â
Â