Prishtinë, 7 janar, NOA - Vizita e presidentit serb në Kosovë, Boris Tadiç, është pritur me reagime jo të mira nga partitë opozitare, të cilat e kanë kritikuar qeverinë për pritjen që i rezervuan kreut të shtetit serb.
Aleanca Kosova e Re tha se vizita e Tadiçit me lejen e autoriteteve në Prishtinë, tregon se qeveria e Kosovës nuk është në gjendje të kujdeset për shtetin.
Në vijim të kësaj ideje, ajo kërkoi që në ndaj vizitës së presidentit të Serbisë të ndërmerren masa kthyese me vizitën e liderëve të Kosovës në Luginën e Preshevës, gjatë ndonjë feste të shqiptarëve. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me anë të një deklarate për shtyp ka pohuar se institucionet e Kosovës, edhe me këtë rast treguan pafuqi dhe mungesë të përgjegjësisë që të ballafaqohen me ndikim nga jashtë. "Qeveria duhet të jetë shumë më e përgatitur dhe më e vendosur, që të ballafaqohet me kërcënimet që vijnë nga Beogradi", thuhet në këtë deklaratë. Presidenti i Serbisë vizitoi dje Deçanin me rastin e krishtlindjeve ortodokse. Paraprakisht, autoritetet kosovare e lajmëruan atë të mos lëshonte deklarata politike gjatë qëndrimit në Koëovë.
n.e/NOA