English

Përmbytjet, Leskaj: PS kërkon me forcë largimin e ministrit të Energjetikës, Prifti

Tiranë, 7 janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës në emër të PS-së, kërkoi largimin e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti.

"Në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, ne shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë për të gjithë ato gra burra, fëmijë e të moshuar që janë të detyruar të lënë shtëpi e pasuri, të mbjella, bagëti e çdo gjë që kanë vënë me mund e djersë, për të shpëtuar jetën, por edhe me të gjithë ata shqiptarë të tjerë, që jetojnë pasigurinë e këtyre orëve dhe në të njëjtën kohë ankthin se situata mund të përkeqësohet nga momenti në moment" tha Leskaj duke shtuar se PS i bën thirrje atyre që ende nuk janë evakuuar, ta bëjnë sa më parë.

"PS kërkon edhe njëherë marrjen e çdo mase në ruajtje të jetës së njerëzve dhe lehtësimin e pasojave të situatës tejet të rëndë në zonat e përmbytura,pasi orë pas ore rreziku shtohet.

Njëherësh Partia socialiste vlerëson, se shqiptarëve duhet t'u thuhet e vërteta e asaj që po ndodh sot në Veri të vendit" tha më tej Leskaj.

Sipas Leskaj arsyeja që situata degradoi deri në këtë pikë nuk është paaftësia e ministrit dhe vartësve të tij, por rezultati i një plani të mirëfilltë korruptim.

"Tentativa për të shpëtuar qeverinë jo legjitime, rrezikoi zona të tëra të përmbytura, duke vënë në rrezik jetët e mijëra njerëzve e duke krijuar një kosto shumë të madhe për banorët e asaj zone dhe për gjithë ekonominë e vendit.

E vërteta tashmë ka dalë në shesh.

Përpos teatrit që Sali Berisha dhe oborri, po tentojnë të luajnë këto ditë, shqiptarët e kanë të qartë, se situata në të cilën ndodhemi dhe katastrofa që rrezikon mund të ishin shmangur nëse do ishte vepruar në kohë e me përgjegjësi dhe jo në shkelje të plotë të rregullores.

Partia Socialiste vlerëson se ato kanë një shkaktar, Ministrin e Ekonomisë dhe këtë qeveri pa legjitimitet.

Në këto kushte Partia Socialiste kërkon me vendosmëri, largimin e Dritan Priftit si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe, plotësisht e shmangshme.

Dritan Prifti duhet të largohet, që kjo tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

Në harkun kohor të dy javëve, u solli shqiptarëve dy ngjarje ogurzeza: rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjet e ditëve të fundit" tha Leskaj.

k.k/NOA

Â

KOMENTE