Shkodër, 7 janar NOA - Policia e Shkodrës ka vënë në pranga sot një 27-vjeçar të shpallur në kërkim për vrasje.
Operacioni i koduar "Komani" çoi në qeli 27-vjeçarin Ylli Biberi, lindur në Tropojë e banues në Kamëz Tiranë. Në ngarkim të tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg", duke e akuzuar për veprat penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" si dhe "Armëmbajtje pa leje". I kërkuari, ishte në ndjekje prej 5 muajsh por sot arrestua në Koman të Shkodrës, në tentativë për t'u larguar në qytetin e Tropojës. Ylli Biberi akuzohet se më datë 26 korrik 2009, në afërsi të Doganës në Tiranë, në bashkëpunim me shtetasin Bashkim Qefalia (aktualisht vuan dënimin), kanë vrarë me armë zjarri për motive të dobëta shtetasin Artan Allushi 22-vjeç, si dhe kanë plagosur dy shtetas të tjerë. k.k/NOA