English

Tadiç: Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë shpresoj t'i shoh në BE

Prishtinë 7 Janar NOA/RFE - Përmbledhje - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, nga Manastiri i Deçanit, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse, ka përçuar mesazhe për pajtim. Ai ka folur edhe për tema të karakterit jofetar. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm, apo bashkë me Serbinë, ai ka thënë se, "nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën, në BE, por gjithë vendet e rajonit të integrohen sa më shpejt që është e mundur në BE".

Mesazhe paqeje?

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka dërguar nga Manastiri i Deçanit një, siç ka thënë, "mesazh paqeje për të gjithë qytetarët që festojnë Krishtlindjet Ortodokse, por edhe për ata që nuk i festojnë, duke vlerësuar se Krishtlindjet shënojnë një periudhë për pajtimin e atyre që janë në përçarje".

"Duke e shënuar lindjen e Krishtit, dërgojmë mesazh paqeje te të gjithë njerëzit, pavarësisht nga identiteti i tyre; mesazh paqeje të gjithë atyre, të cilët sot dhe nesër shënojnë këtë festë të krishterë, por edhe atyre që nuk e festojnë, sepse ky është një shans edhe për ata që kanë qenë të përçarë dhe në mosmarrëveshje, të pajtohen, t'i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të merren vesh më mirë seç janë marrë vesh gjatë gjithë vitit të kaluar", ka thënë Tadiç në Manastirin e Deçanit. "Unë, si president i Serbisë, sot në Manastirin e Deçanit dërgoj mesazhe paqeje gjithandej dhe cilitdo në emër të qytetarëve të Serbisë, në emër të shtetit të Serbisë dhe në emrin tim personal, duke besuar se paqja është më se e domosdoshme në këtë hapësirë të përbashkët ku jetojmë, se paqja është e nevojshme për të gjithë popujt, për të gjithë njerëzit, të cilët ndajnë një të ardhme të përbashkët në këtë hapësirë shumë komplekse dhe të rënduar ballkanike", ka theksuar Tadiç. Presidenti i Serbisë ka qëndruar në Manastirin e Deçanit, për të marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse. Vizita e tij në Deçan është përcjellë me një protestë të qytetarëve të atjeshëm, të cilët e kanë kundërshtuar ardhjen e zotit Tadiç. Autoritetet janë përmbajtur nga dhënia e çfarëdo informacioni mbi agjendën e plotë të presidentit të Serbisë, duke u thirrur në ndjeshmërinë e situatës. Qeveria e Kosovës lejoi dje vizitën e presidentit serb, Boris Tadiç, në Kosovë, por duke thënë se kjo duhet të jetë vizitë vetëm e karakterit fetar. Megjithatë, presidenti Tadiç, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka folur edhe për çështje tjera të karakterit jofetar. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet i vetëm, apo bashkë me Serbinë, Tadiç ka thënë: "Nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën në Bashkimin Evropian, por gjithë vendet e rajonit të Evropës Juglindore të integrohen sa më shpejt që është e mundur në BE, shpresoj në vitin 2014". Ndërkohë, presidenti i Serbisë ka marrë pjesë në meshën që shënon ceremoninë qendrore të Krishtlindjeve Ortodokse. Ceremonia do të përcillet të mërkurën me një liturgji të shenjtë. Presidenti serb për vizitën e tij ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd dhe në Prishtinë. Njoftimi, më pas, u është përcjellë institucioneve të Kosovës. Këto të fundit, sikurse me rastin e vizitës së kaluar, në prill të vitit të kaluar, sërish kanë tërhequr vërejtjen se presidenti i Serbisë nuk duhet të bëjë çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Pro dhe kundër

Duke e komentuar vizitën e presidentit serb, Boris Tadiç, në Kosovë, analistët ndajnë pikëpamje të ndryshme rreth lejimit të kësaj vizite dhe mesazheve që jep ajo për komunitetin serb dhe opinionin kosovar në përgjithësi.

Analistët në Prishtinë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme vizitën e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, dhe lejen që Qeveria e Kosovës i dha atij për të marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve ortodokse. Për disa analistë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të lejuar vizitën e Tadiçit, ishte një mesazh i pjekurisë politike. Kurse, për analistë të tjerë, Kosova është dashur të mos lejojë vizita të presidentëve dhe qeverive që angazhohen në vazhdimësi kundër stabilitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se Qeveria e Kosovës mori një vendim shumë të gabuar kur lejoi vizitën e Tadiçit.

Ai rikujton vendimin e para një jave të Beogradit për sforcimin e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë, të cilat veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. "Është bërë një gabim shumë i madh nga ana e Qeverisë së Kosovës që ka lejuar presidentin e Serbisë të vijë për Kërshëndellat Ortodokse, duke pasur parasysh se Serbia, pak para Vitit të Ri, mori një vendim, me të cilin fuqizoi strukturat e saj në Kosovë, e që realisht punojnë kundër shtetësisë dhe stabilitetit në Kosovë", thotë Deda. Në anën tjetër, analisti Ramush Tahiri thotë se Qeveria e Kosovës mori një vendim të drejtë kur e lejoi këtë vizitë. Pavarësisht mesazheve të Tadiçit, thotë Tahiri, me këtë veprim, Prishtina ka treguar përkushtimin e saj për një politikë pro-evropiane dhe pro-integruese. "Qeveria e Kosovës, me vendimin për t'ia lejuar vizitën presidentit Tadiç, ka treguar përgjegjshmëri dhe mendoj se kjo është në vazhdën e logjikës së mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të integrimeve evropiane". "Edhe pse vizita e Tadiçit si kërkesë paraqitet në institucionet tjera dhe jo në institucionet e Kosovës, institucionet e Kosovës e kanë legjitimitetin që të vendosin për këto çështje", thekson Tahiri. Ndryshe nga Tahiri, vlerëson analisti Ilir Deda. Ai i sheh si të panevojshme kushtet që janë vendosur për Tadiçin gjatë vizitës së tij, pasi që vetë lejimi i kësaj vizite, sipas Dedës, është mesazh që Tadiç transmeton te serbët e Kosovës dhe tek opinioni kosovar në përgjithësi. "Nuk është çështja te kushtet, të cilat mund t'i vendosë Prishtina; më shumë ka të bëjë me një mungesë të vetë-respektit të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës". "Nuk ka asnjë arsye që shteti, i cili punon me të gjitha energjitë kundër kësaj pavarësie dhe kundër stabilitetit në Kosovë, presidenti i këtij shteti të vijë dhe t'i jepet leja që të vijë e të japë një mesazh çfarëdo që të jetë ai", shprehet Deda. Ndërkohë, Ramush Tahiri thotë se Kosova nuk ka nevojë t'i kundërpërgjigjet Serbisë, kështu që, sipas tij, edhe nëse Tadiç ka dashur që t'i shfrytëzojë festat fetare për qëllime politike, ajo është politikë e Beogradit dhe Prishtina duhet ta ketë politikën e vet që nuk varet nga veprimet serbe.

"Kosova duhet të japë mesazhe të mira, pavarësisht mesazheve që jep Serbia edhe Kosova duhet ta ketë politikën e vet, e cila në çdo moment dhe në çdo kohë nuk duhet të jetë përgjigje, ose ana tjetër e politikës së Serbisë". "Kosova duhet ta ketë identitetin e vet edhe sa i përket identitetit të politikës së saj të brendshme e të jashtme, edhe sa u përket standardeve, të cilat i respekton", vlerëson Tahiri. Në një pritje për media gjatë festave të fundvitit, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pati deklaruar se ai nuk do ta ftojë Tadiçin në kuadër të një mini-samiti rajonal, ku ai tashmë kishte ftuar presidentët e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Sidoqoftë, presidenti Tadiç vjen në Kosovë edhe pa ftesën e institucioneve, çka, sipas analistëve, tregon se Beogradi nuk merret me deklaratat e zyrtarëve kosovarë, por me strategjinë e vet, ku ndër synimet kryesore është mbajtja e tensioneve në Kosovë dhe mbajtja në jetë e strukturave paralele, me shpresë se një ditë sërish do të hapet për dialog çështja e viseve të caktuara të Kosovës, ku shumicën e përbëjnë serbët.

KOMENTE