English

Topalli në Baçallëk të Shkodrës: Banorët të vazhdojnë evakuimin

Shkodër, 7 janar NOA - Nga zonat e përmbytura në Baçallëk të Shkodrës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka bërë sërish sot thirrje banorëve të zonave të përmbytura të vijojnë evakuimin me mençuri dhe sens përgjegjësie.

Ajo mori pjesë në mbledhjet e shtabit të emergjencës dhe vijon të ndjekë nga afër situatën hap pas hapi.

Në takimet me banorët e Baçallëkut, Kryetarja e Kuvendit u garantoi atyre se janë marrë të gjitha masat për mbështetjen por edhe për kompensimin e dëmeve.

 "Sot situata vazhdon të jetë kritike, shumë serioze. Liqeni po i afrohet niveleve të rrugës. Drini është i fryrë si kurrë ndonjëherë dhe ka përmbytur këtu lagjen e Baçallëkut. Unë jam këtu për t'i ftuar banorët e lagjeve të qytetit të Shkodrës, që rrezikojnë më shumë, të vazhdojnë evakuimin.

Është bërë evakuimi i disa familjeve, por duhet të vazhdojnë të largojnë fëmijët, gratë, të sëmurët ndërkohë që bashkia po merr të gjitha masat për t'i ndihmuar dhe mbështetur banorët" tha Topalli e cila shtoi se banorët duhet ta vlerësojnë pa u trembur, por me sens përgjegjësie situatën e rënduar nga mbushja e liqenit të Shkodrës.

"Nuk dallohet më dhe nuk ndahet më Drini, Buna dhe liqeni. Uji ka rrethuar edhe rrugën nacionale të qytetit.

Edhe pse rruga nuk është mbuluar ende, banorët me mençurinë dhe maturinë e tyre duhet ta vlerësojnë situatën dhe të marrin të gjitha masat për të parandaluar çdo gjë negative", tha Kryetarja e Kuvendit.

k.k/NOA

Â

KOMENTE