Prishtinë, 7 janar, NOA - Lëvizja "Vetëvendosje" do të organizojë sot një tryezë debati me temën "Ndikimi i politikës në prodhimin vendor". Në një deklaratë për shtyp të kësaj lëvizje, bëhet me dijeni se qëllimi i kësaj tryeze është që të nxirren në pah dhe të debatohen vështirësitë me të cilat ballafaqohen prodhuesit e Kosovës.
Sipas drejtuesve të kësaj lëvizje, këto vështirësi shkaktohen nga vendimet politiko-ekonomike, të cilat rezultojnë në veprime, por shpesh edhe në mosveprime të
institucioneve të Kosovës, duke krijuar një ndikim negativ në prodhimin vendor dhe ekonominë vendore në përgjithësi.
Kjo tryezë do të jetë tryezë e prodhuesve të vendit dhe synon t'ua japë atyre hapësirën që të flasin për atë se ç'ka kanë nevojë ata të bëjë shteti në mënyrë që ata të mund ta rrisin prodhimin, shitjen, kapacitetin dhe cilësinë, për ta rritur kështu ekonominë, punësimin dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Tryeza do të përfundojë me përfundime dhe kërkesa të përbashkëta të prodhuesve të Kosovës.
n.e/NOA