Obama ndoshta përballet me hapësirën më të vështirë të cilën e ka trashëguar ndonjëherë një president amerikan për vendosjen e paqes. Ai mori udhëheqjen e presidencës në momentin kur Izraeli po kompletonte ofensivën e shtrenjtë dhe kundërthënëse kundër militantëve të Hamasit në Gazë, operacion ky i cili prodhoi akuza për krime të luftës nga OKB-ja dhe forcoi ndjenjat anti-izraelite në gjithë botën
Nga "Time" Presidentit Barack Obama iu deshën vetëm 10 muaj për të realizuar atë që e kanë realizuar pothuajse të gjithë paraardhësit e tij në vitin e tyre të fundit në funksion: dështimin në procesin paqësore në Lindjen e Mesme. Duke u mbështetur në valën e optimizmit në janar të vitit të kaluar, Presidenti gjatë ditës së tij të dytë në funksion emëroi ish-senatorin George Mitchell si të dërguarin e tij të posaçëm në Lindjen e Mesme, me detyrën që t'i ringjallë negociatat e ngecura për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Përkundër qëllimeve më të mira, përpjekjet e Mitchellit dhe të Obamës vetëm sa kanë arritur t'i minojnë avokatët e paqes në radhët e të gjitha palëve dhe kanë zhvendosur në një të ardhme të largët shpresën për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Presidenti tani përballet me zgjedhje të vështira lidhur me atë se çfarë të bëhet më tutje. Obama dallon nga paraardhësit të tij ngase iu qas shumë herët këtij problemi. Bill Clintoni dhe George Bush pritën deri në fund të mandateve të tyre për ta bërë këtë. Për më tepër, Obama ndoshta përballet me hapësirën më të vështirë të cilën e ka trashëguar ndonjëherë një president amerikan për vendosjen e paqes. Ai mori përsipër presidencën në momentin kur Izraeli po kompletonte ofensivën e vet të shtrenjtë dhe kundërthënëse kundër militantëve të Hamasit në Gazë, operacion ky i cili prodhoi akuza për krime të luftës nga OKB'ja dhe forcoi ndjenjat anti-izraelite në gjithë botën. Pas vetëm disa javësh, votuesit në Izrael instaluan qeverinë e koalicionit të krahut të djathtë, të përbërë nga partitë që kundërshtojnë shtetin e Palestinës dhe të cilat janë të përkushtuara për zgjerimin e kolonive hebreje në territoret e okupuara në vitin 1967. Sa i përket palës palestineze, ajo përballet me një kryesi të copëtuar, trysnia ndaj së cilës u shtua edhe më shumë për shkak të perceptimit se Obama do të ketë një qëndrim më të favorshëm për çështjen palestineze. Obama me shpejtësi përkeqësoi problemet pas një serie të gabimeve teknike. Ai kërkoi ndërprerjen e aktiviteteve në të gjitha kolonitë hebreje, duke insistuar se të gjitha ndërtimet përtej kufijve ekzistues të Izraelit në vitin 1967 duhet të ndalen, me qëllim që të ringjallen negociatat. Ky jo vetëm që ishte një synim i parealizueshëm politik për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun, por gjithashtu nënkuptonte se çfarëdo tjetër pos ndërprerjes së plotë të aktiviteteve nëpër koloni, do të dukej si një humbje për presidentin palestinez, Mahmoud Abass. Abass edhe ashtu ishte i dëmtuar politikisht për shkak të luftës në Gazë dhe gjithëçka tjetër pos bashkëpunimit të plotë të Izraelit, në veçanti në lidhje me Jerusalemin Lindor, të cilin palestinezët e shohin si kryeqytet të shtetit të tyre në të ardhmen, u bë politikisht e patolerueshme për të dhe ai refuzoi të negocionte përderisa Izraeli të mos i bindej kërkesave të Obamës. Washingtoni më pas përkeqësoi edhe më shumë gjërat duke e detyruar Abassin ngurrues që ta vizitojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për t'i shtrënguar duart me Obamën dhe Netanyahun, duke e kthyer më pas në shtëpi pa arritur ndonjë përparim të dukshëm. Në vjeshtë, Abass filloi të flasë për dorëheqjen e tij. Deri në fund të vitit të kaluar procesi mbeti i bllokuar. Izraeli ofroi një ngrirje të pjesshme të aktiviteteve nëpër koloni, por kjo nuk mjaftoi për t'i kthyer palestinezët në tavolinën e bisedimeve. Dështimet e administratës detyruan shumë njerëz që të kërkojnë heqjen dorë nga qasja aktuale dhe ofrimin e diçkaje të re. Disa po kërkojnë që SHBA-ja t'i trajtojë ndaras Izraelin dhe palestinezët dhe të bëjë përpjekje që ta sigurojë marrëveshjen në rolin e ndërmjetësuesit. Të tjerët theksojnë se SHBA duhet të tërhiqet dhe t'i lërë palët që të kthehen vetë në tavolinë atëherë kur të jenë të gatshme ta bëjnë këtë. Aktualisht, administrata po qëndron prapa qasjes së saj që të zhvillojë trysni për negociata të drejtpërdrejta për zgjidhjen me dy shtete, duke shpresuar se trysnia e vazhdueshme do t'i detyrojë izraelitët dhe palestinezët që të ulën në tavolinë. Nëse negociatat rifillojnë, Washingtoni është optimist se do të arrihet përparim. Nëse jo, atëherë do të përballet me rivlerësimin gjithëpërfshirës politik të cilin e ka ndërmarrë për Afganistanin dhe Iranin, por kësaj radhe ky rivlerësim do të bëhet shumë më vonë dhe pasi i tërë procesi të jetë dëmtuar shumë.