English

Kursi që të fundos

Kuvendi i Republikës së Kosovës, njësoj sikurse ai i IPVQ've të kohës së UNMIK'ut, nuk e aprovoi një rezolutë që pasohet me ligje, e në të cilën do të thuhej qartë që Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë (e cila, siç e dimë, nga Kushtetuta e saj e deri te deklaratat e zyrtarëve më të ulët shtetërorë, thotë që Kosova është pjesë e Serbisë)

Nga Albin Kurti

Manastiri i Deçanit dhe Osojani. Eksterritorialiteti fetar dhe decentralizimi etnik. Dy vendet që kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, paralajmëroi se do t'i vizitonte, shënojnë dy projekte. I pari është serbizim i trashëgimisë kulturore. I dyti serbizim i territorit. Më 31 janar 2008, Boris Tadiq pat qenë në Cernicë. Tash që decentralizimin etnik në Anamoravë po ia kryejnë ministri Sadri Ferati dhe PCN'ja, Pieter Feith, Boris Tadiq tregoi se ku mëton ta hedh hapin e ardhshëm. Në Osojan. Ndarjen në veri, decentralizimi etnik nisi ta riprodhojë në lindje të Kosovës, kurse synimi i radhës është veriperëndimi. Komuna e ardhshme e Osojanit në Burim (ish Istog) do të lidhej territorialisht me Zubin Potokun. Edhe këtë komunë të re, përtej formulës 5+1, sërish e mundëson Plani i Ahtisaarit. Neni 12.4, te Aneksi 3 që i dedikohet decentralizimit, parasheh krijimin e komunave të reja në vendbanimet që kanë së paku 5.000 banorë, e ku 75% të popullsisë janë të komunitetit joshumicë. Kësisoj, kthimi i serbëve vendoset më parë në kuadër të sajimit të komunave të reja serbe sesa në atë të së drejtës për kthim të refugjatëve. Në fund të viteve '80, Serbia i detyroi shqiptarët që prej kërkesës së tyre për republikë të zbresin te mbrojtja e autonomisë (ndërkohë që atyre iu takonte bashkimi me Shqipërinë). Sot që Serbia i forcon strukturat paralele, shumë politikanë e analistë prej insistimit te sovraniteti e tërësia territoriale që janë themelore për një shtet të pavarur, zbresin te Rezoluta 1244, Plani i Ahtisaarit dhe EULEX'i që s'na e pranon pavarësinë (ndërkohë që gjithsesi na takon bashkimi me Shqipërinë). Duket që elita politike dhe intelektuale kosovare tradicionalisht kollaj e ka pranuar pazarin për Kosovën dhe edhe më kollaj e ka ulur atë pastaj. Serbia nuk e ka pranuar Rezolutën 1244, 6 Pikëshin e Ban Ki-moon'it, Protokollin për bashkëpunim policor, etj. Në mënyrë që t'i respektojë ato. Thirrja te to për ta mbrojtur Kosovën përbën veçse naivitetin e politikanëve dhe analistëve kosovarë. Ajo i ka pranuar ato që ne t'i respektojmë, që Kosova të detyrohet t'i respektojë ato, ndërkohë që vetë Serbia ecën tutje në krijimin e realitetit të ri në terren për të cilin pastaj kërkohen negociata, protokolle e marrëveshje të reja. Realitetin nuk mund ta kuptosh, e aq më pak ta ndryshosh, duke e perceptuar atë si një fotografi statike me elemente të palidhura në të. Vetëm si një proces dinamik dhe organik arrin ta kuptosh realitetin dhe t'ia mundësosh vetes intervenimin subjektiv për ndryshime. Prandaj, besimi që vizita e Tadiqit s'është problematike porse strukturat paralele dhe emërimet e Serbisë për gjykatësit në veri janë problematike, është naiv. Këto janë veçse aspekte të ndryshme të së njëjtës politikë shtetërore të Serbisë karshi Kosovës. Sigurisht që rasti më eklatant i moskuptimit të politikës në kohët e fundit ishte ai i kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai iu lut Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe EULEX'it që t'ia kryejnë punën atij. Fatmir Sejdiu iu tha atyre: Shtrijeni ju sovranitetin e Kosovës gjithandej, siç thuhet në nenet 1.1 dhe 2.2 të Kushtetutës sime, se unë po rri në zyrën time në Prishtinë! Pieter Feithi dhe Yves de Kermaboni nuk jam i sigurt nëse do të angazhoheshin për sovranitetet e vendeve prej nga vijnë ata vetë (Holanda dhe Franca), porse jam i sigurt që s'do të angazhohen për sovranitetin tonë. Bile në kërkesën e dikujt që dikush tjetër t'ia bëjë sovranitetin ka një kundërthënie të brendshme. Kjo kërkesë vetëm sa e konfirmon josovranin në varësinë dhe dobësinë e tij. Është absurde të besohet që Sejdiu dhe Thaçi e shpallin pavarësinë, e këtë mandej na e realizojnë në terren organizmat e huaj ndërkombëtarë. Se këta vetëm e lexojnë deklaratën, fotografohen para mediave, e pastaj mobilizohen KFOR'i dhe EULEX'i për të na e bërë neve zotërinjve pavarësinë, ani se as KFOR'i e as EULEX'i në fakt nuk na e njohin pavarësinë (sic.). Që prej shpalljes së pavarësisë, sa i përket shtrirjes së pushtetit, më shumë realitetin në terren vazhdon ta ndryshojë Qeveria e Serbisë sesa Qeveria e Kosovës. Mungesa e reciprocitetit në raport me Serbinë është rritur që prej shpalljes së pavarësisë. Do të duhej të ishte Kosova ajo që nuk ia lejon reciprocitetin Serbisë për shkak të krimeve të saj nga e kaluara, ndërkaq që po ngjan e kundërta. Kuvendi i Republikës së Kosovës, njësoj sikurse ai i IPVQ've të kohës së UNMIK'ut, nuk e aprovoi një rezolutë që pasohet me ligje e në të cilën do të thuhej qartë që Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë (e cila, siç e dimë, nga Kushtetuta e saj e deri te deklaratat e zyrtarëve më të ulët shtetërorë, thotë që Kosova është pjesë e Serbisë). Asisoj, dokumentet e Serbisë do të bëheshin të pavlefshme në Kosovë, siç janë ato të Kosovës në Serbi, kurse vizita e Boris Tadiqit nuk do të lejohej meqë do të ishte e paligjshme, e jo sikurse tash kur dy zëvendëskryeministrat të japin leje politike. Nuk mund të përparojmë si shoqëri, e madje as të rritet numri i njohjeve të pavarësisë, me këso mungese serioziteti e dinjiteti në marrjen e vendimeve politike. Neve nuk na respektojë kështu, prandaj edhe nuk na njohin. Më parë sesa të themi që nuk gëzojmë respektin e të tjerëve nëpër botë meqë nuk na njohin, e vërteta është e kundërta. Nuk na respektojnë dhe, për pasojë, nuk na njohin. Një mik më tha që vizita e Tadiqit po përdoret për ta eklipsuar shitjen e tërë pasurisë së Kosovës, që do të bëhet me privatizimin e gjigantëve ekonomikë në vitin 2010. Një mik tjetër më tha që dallaveret me vota në Gjilan u përdorën që ta eklipsojnë vizitën e Tadiqit, kurse vetë kjo vizitë e Tadiqit që ta eklipsojë rastin me gjykatat në veri. Një tjetër mik imi ma tha të kundërtën e kësaj. Nuk e di. Ndoshta. Në fakt, pse jo? Çka nëse të gjitha këto janë të vërteta? Çka nëse e vërteta ka karakter sintetik? Në kursin e saj politik, Kosova po ngjan si një anije e madhe por e shpuar në shumë më tepër vrima sesa që kanë gishta qeveritarët dhe analistët e tyre për t'i mbyllur ato. Mbase, nuk është anija ajo që të fundosë por, para së gjithash, kursi i veçantë i saj.

KOMENTE