English

Merr peng veten për të fituara para, 49-vjeçari: Sajova rrëmbimin për të shlyer kredinë

Nga Klodiana Kotorri

Krujë, 8 janar NOA - Pamundësia për të shlyer një kredi banakare, duket se ka detyruar një 49-vjeçar të skenojë një pengmarrje ku rolet do t'i kryente të gjitha vetë.

Bajram Ndreu nga Kruja do të ishte edhe pengmarrësi edhe pengu, madje për zbatimin e planit kishte gjetur edhe vendin ku do të mbante veten peng si dhe telefonat me anë të së cilës do t'i vinte gjobë familjes së tij kundrejt jetës së vetë.

Pasi planifikoi gjithçka, 49-vjeçari vendosi të zbatojë planin dy net më parë.

Mësohet se Ndreu u ngujua në një kasolle në fshatin Picrragë të rrethit të Krujës dhe prej andej mori në telefon familjen e tij prindërit dhe vëllanë duke u prezantuar si pengmarrës dhe se kishte marrë peng familjarin e tyre Bajram Ndreu.

Vonesa e tepruar e kthimit në banesë të Ndreut si dhe konstatimi i telefonave fikur të tij, detyruan të vëllanë E.N të lajmëronte policinë dje në mes ditë për ngjarjen.

Sipas deklaratës së E.N, më datë 6 janar i kishin rrëmbyer vëllain e tij shtetasin Bajram Ndreu dhe se rreth orës 22.00 të po kësaj date kishin telefonuar në telefonin fiks të banesës së Bajramit ku pengmarrësi kërkonte 500.000 mijë lekë të reja për të lëshuar të gjallë pengun.

Të njëjtën kërkesë ky shtetas ia kishte përsëritur edhe me datë 7 janar rreth, orës 09.00 babait të Bajramit.

Policia nisi menjëherë një sërë veprimesh për veprën penale të rrëmbimit të personit.

"Nga tërësia e veprimeve të kryera dhe informacioneve operative të marra, rreth orës 22.00 u ushtrua kontroll në një kasolle në fshatin Picrrage të rrethit Krujë, dera e jashtme e së cilës ishte e mbyllur nga brenda. Pas thirrjeve të drejtuara dera është hapur nga shtetasi Bajram Ndreu.

Nga kontrolli i ushtruar në kasolle u gjetën dhe u sekuestruan 2 aparate telefoni celular, 22 fishekë, 3 kallëpe tritoli, 5 metër fitil zjarrpërcjellës si dhe 100 gramë farë Canabis Sativa" thanë burimet e policisë.

Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore, nga verifikimi i telefonave u konstatua dhe u pranua nga 49-vjeçari Bajram Ndreu se mesazhet dhe telefonatat ishin kryer nga ai vetë dhe se simulimi i pengmarrjes kishte si qëllim përfitimin e shumës për shlyerjen e një kredie bankare.

Policia shoqëroi në komisariat "pengun" ku i komunikoi atij masën e arrestit.

k.k/NOA

KOMENTE