English

Obama: Sistemi i sigurisë së amerikanëve ka dështuar, përgjegjësia është e imja

Uashington, 8 janar, NOA - "Si president, unë kam përgjegjësinë solemne për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë, dhe kur sistemi dështon, kjo është përgjegjësia ime".

Me këto fjalë, presidenti Barak Obama ka analizuar aktin terrorist të ditës së Krishtlindjeve në një avion amerikan, duke shtuar se nuk është i interesuar t'i vërë fajin dikujt, por të mësojë nga gabimet dhe t'i korrigjojë ato për të garantuar sigurinë e SHBA-ve.

Më tej, sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë për t'u siguruar që dështimet në fushën e zbulimit dhe të sigurisë që çuan në tentativën për sulm terrorist ndaj aeroplanit në fjalë e nuk do të ndodhin më.

Obama ka pranuar në këtë mënyrë se incidenti ishte dështim i sistemit dhe jo i individëve.

"Faji nuk është i një agjencie apo një personi për boshllëqet që lejuan incidentin të ndodhë. Në këtë fazë të procesit, nuk duket se ishte faji i një individi apo organizate, por një dështim i sistemit të disa organizatave dhe agjencive", tha ai.

Për parandalimin e komploteve terroriste në të ardhmen, Obama njoftoi disa ndryshime në procedurat e zbulimit dhe të sigurisë. Mes tyre bëhet fjalë për shpërndarjen më të shpejtë dhe më të gjerë të raporteve të zbulimit dhe procedura të reja për listat e mbikqyrjes së terroristëve. Lidhur me to, Obama tha se ndryshimet do t'i ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të reagojnë më shpejt.

n.e/NOA

Â

KOMENTE