Tiranë, 8 Janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste Ledi Shamku në një komunikim me median para pak minutash ka rikujtuar rrogat e padhëna të mësuesve me kontratë. Shamku i kujtoi Berishës se ka përmbytur në fatkeqësi jo vetëm familjet e shkodranëve por edhe të mësuesve me kontratë të cilat kanë katër muaj pa paga.
Shamku akuzoi Berishën, se "në xhepat e tij të errët sot gjenden të kyçura paratë e një pjese të rëndësishme të administratës, ku, si gjithnjë më të prekurit janë mësuesit".
"Pas një muaji po denoncojmë sërish Sali Berishën, i cili vijon të mos u japë rrogat gjithë mësuesve me kontratë, - vijoi Shamku dhe shtoi se "nuk flitet këtu për gjysmë, një apo dy rroga, në fakt tash po bëhen thuajse 4 muaj që gjithë kjo shtresë mësuesish nuk merr rrogë, pra i mohohet djersa dhe gjaku i tyre".
"Kështu, ka thuajse 4 muaj që gjithë këta burra e gra janë futur në kontigjentin e atyre që luftojnë për të mbijetuar; dhe mbijetesa e tyre, sikundër e shumë shtetasve të tjerë, kërcënohet nga abuzimi me financat publike", - komentoi Shamku.
e.r/NOA