Tiranë, 8 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës u shpreh se Berisha po përpiqet të largojë vëmendjen e shqiptarëve mbi krizën humanitare të Veriut të vendit.
"Në kulmin e një krize humanitare që po mban peng zemër të ngrirë vendin pikërisht për të larguar vëmendjen nga përmbytjet dhe dëmet kolosale të shkaktuara nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria qeveritare, shpellari Sali Berisha angazhon mjete dhe policinë e shtetit për të goditur një ndërtim të ligjshëm pa pritur vendimin e gjykatës.
Ky vend po bëhet peng i një mendje çorodituri që flet përçart, vepron përçart dhe që qeveris me vota të vjedhura, duke shkaktuar kriza e katastrofa të njëpasnjëshme, të mëdha e të vogla" tha Shalsi.
Deputeti socialist shtoi se "Sali Berisha është tashmë peng i interesave të korrupsionit që kanë mbytur qeverinë e vendit dhe që diktojnë mendimet dhe veprimet e çoroditura prej të këtij shpellari veshur me kostum komunisti të përmbytur me pasuri".
"Ne sot megjithatë jemi të përqendruar për shpëtimin e jetës e të katandisë së çdo fukarai në zonën e përmbytur nga korrupsioni qeveritar.
Këtë pushtet dhe komunistin Sali Berisha nuk e shpëton asgjë nga gjykimi i popullit" përfundoi Shalsi.
k.k/NOA