Durrës, 8 janar NOA Update- Konflikti për pronën ka shkaktuar sërish gjakderdhje në vend. Pas sherreve të njëpasnjëshme për çështjen e pronësisë atë e bir duket se kanë gjetur një zgjidhje ekstreme për këtë çështje. Ata kanë vrarë pretendentin ndërsa kanë plagosur vëllain e këtij të fundit.
Ngjarja ndodhi dje në fshatin Rinia të Durrësit kur atë e bir Hysni dhe Astrit Bushi të moshës 65 dhe 27-vjeçarë dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri 32-vjeçarin Preng Lazri, lindur në Pukë dhe banues në fshatin Rinia Durrës si dhe kanë plagosur rëndë vëllain e viktimës Gj.Lazri 36-vjeç.
Pas kryerjes se krimit atë e bir janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Kapja dhe arrestimi i tyre u bë në bazë të një pune e ndërhyrje të shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak.
Policia deklaroi se po vazhdon puna për gjetjen e armës me të cilën është kryer vepra penale.
Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi pas një sherri për pronën mes dy familjeve.
k.k/NOA