Si mundet kryeministri t'i quajë zgjedhjet lokale të nëntorit të suksesshme dhe demokratike, kur në këto zgjedhje u vodhën votat e qytetarëve të Kosovës, u votua për njerëz të cilët tashmë janë të vdekur etj? Madje këto zgjedhje do të përsëriten në disa komuna për këto arsye e shumë të tjera që nuk i përmenda, ndërsa Hashim Thaçi i quan ato demokratike. Kurrsesi nuk është demokratike dhe as e suksesshme vetëm mbajtja e zgjedhjeve, por mbi të gjitha, konteksti, mbarëvajtja, procesi, ndershmëria. Zgjedhjet mbahen edhe në Bjellorusi
Nga Vlorian Molliçaj
Këtyre ditëve të fundit, përderisa lexoja shtypin ditor dhe shikoja televizorin, mbaheshin konferenca të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë, në të cilat rrëfeheshin politikanët për punët e tyre gjatë vitit që shkoi. Ishte fjala "sukses" ajo që përmendej vazhdimisht në këto konferenca. Secili politikan thërriste mediet dhe u fliste atyre për sukseset e vitit 2009 që kishte arritur institucioni që ai drejtonte. Të gjitha institucionet, edhe pse "kishin pasur disa pengesa të vogla", sipas tyre ishin shumë të suksesshme në punën gjatë vitit që e lamë pas.
Hashim Thaçi tha se 2009-ta ka qenë një vit jo i lehtë, por i suksesshëm. Ai tha se ky vit do të mbahet mend si vit shumë i suksesshëm, pasi që në këtë vit është zhvilluar ekonomia e vendit, është përmirësuar dukshëm furnizimi me energji elektrike, dhe janë krijuar kushte për investime ekonomike. Ai edhe zgjedhjet lokale të cilat i quajti historike, i vlerësoi si një pjesë të rëndësishme në vargun e gjatë të sukseseve.
Nuk e di se si mund të thotë kryeministri se ka zhvillim ekonomik, kur dihet mirë se varfëria dhe shkalla e papunësisë po rritet çdo ditë e më shumë? Si mund të thotë ai se është përmirësuar furnizimi me energji elektrike, kur të gjithë ne e dimë që KEK-u po bën çkyçje masive nëpër shumë fshatra e lagje të Kosovës, kurse vetë punëtorët e KEK-ut ka disa ditë që po protestojnë kundër politizimit të korporatës? Për shkak se disa individë nuk e kanë paguar rrymën, terrin po e përjetojnë individët tjerë të cilët, edhe pse e kanë paguar rrymën, pësojnë për arsye që jetojnë në të njëjtën lagje apo fshat me ata të cilët nuk e kanë paguar atë. Kjo është plotësisht e pakuptimtë, është plotësisht absurde.
Si mundet kryeministri t'i quajë zgjedhjet lokale të nëntorit të suksesshme dhe demokratike, kur në këto zgjedhje u vodhën votat e qytetarëve të Kosovës, u votua për njerëz të cilët tashmë janë të vdekur etj? Madje këto zgjedhje do të përsëriten në disa komuna për këto arsye e shumë të tjera që nuk i përmenda, ndërsa Hashim Thaçi i quan ato demokratike. Kurrsesi nuk është demokratike dhe as e suksesshme vetëm mbajtja e zgjedhjeve, por mbi të gjitha, konteksti, mbarëvajtja, procesi, ndershmëria. Zgjedhjet mbahen edhe në Bjellorusi. Nga kryeministri atje mbajtja e zgjedhjeve quhet e sukseshme, por e gjithë bota mbarë e di se çdo të thotë sukses dhe demokraci për të.
Në anën tjetër EULEX-i tha që siguria ne vend, rifutja e disa pikave të doganave nën kontroll, arrestimi i disa personave si të dyshuar për krime lufte etj. janë sukseset më të mëdha të këtij misioni gjatë vitit 2009. Si mund të thonë zyrtarët e EULEX-it që siguria në vend në vitin 2009 është një ndër sukseset e shumta që ka arritur EULEX-i? Ngjarja tek Kroi i Vitakut në Mitrovicë, ku serbët protestonin, madje edhe duke gjuajtur me armë zjarri e duke hedhur bomba, dhe nuk i lejonin shqiptarët që t'i rindërtonin shtëpitë e veta, e tregoi fytyrën e vërtetë të EULEX-it, pasi që ky i fundit nuk e arrestoi asnjë person aty. EULEX-i i ka arrestuar formalisht disa serbë si të dyshuar për krime lufte sa për të na hedhur hi syve, ndërsa, në anën tjetër, po i dënon ish-ushtarët e UÇK-së. As pikat e doganave në veri nuk i ka futur të gjitha nën kontroll, qysh prej djegies së tyre nga serbët dhe nuk ka arrestuar asnjë person për djegien e tyre. Strukturat paralele të Serbisë funksionojnë në Kosovë po sikur në kohën e UNMIK-ut (në mos më mirë). EULEX-i nuk ka plan për to. EULEX-i le të mos na shesë neve popullit përralla për sundimin e ligjit dhe rendit, por le t'i kapë shkelësit e përditshëm të ligjit, të cilët i sillen para hunde. Hic Rhodus, hic salta!
Edhe përfaqësuesit e Kuvendit, në konferencën e fundit për këtë vit, theksuan se kanë kryer punët me shumë sukses në të gjitha fushat si në: legjislacion, siguri, ekonomi etj. Çfarë pune të suksesshme paskan kryer deputetët se? Kanë miratuar ligje që dalin nga Plani i Ahtisaarit dhe ua kanë ngritur pagat vetes!
Ministria e Bujqësisë e quajti vitin 2009 si vit shumë të suksesshëm për bujqësinë. Udhëheqësi i kësaj ministrie, Idriz Vehapi, tha se gjatë vitit që po e lëmë pas, kjo ministri i ka përkrahur bujqit me subvencione dhe ky është një sukses i madh. Nuk mund ta quash bujqësinë e vendit të suksesshme përderisa fermerët po detyrohen t'i mbyllin fermat e tyre pasi që nuk iu hoq TVSH-ja industrisë së qumështit siç ishte premtuar. Kurse bujqit po shtrëngohen që të mos mbjellin më perime, pasi që ato nuk po mund t'i eksportojnë për shkak të bllokadave që po bën Serbia dhe Bosnja etj. Për çfarë bujqësie po na flet ministri kur Kosovën e kanë shndërruar në vend ku tejet pak mbillet e kultivohet, fare pak ndihmohet dhe asgjë nuk eksportohet?
Nuk po i përmend fjalët e secilit përfaqësues të institucioneve tjera veç e veç, pasi që pothuajse të gjithë dhanë deklarata të njëjta, se institucione të cilat i udhëheqin dolën shumë të suksesshme në vitin 2009. Në fund të gjithë premtuan se viti 2010 do të jetë vit edhe me i suksesshëm sesa ky që shkoi! E tash paramendojeni vetë se si mund të jetë viti 2010 sipas kriterit me të cilin politikanët tanë masin sukseset e tyre.
Â