English

Çmimi i vizitës së Tadiçit në Kosovë

Një gjë është e sigurt: Presidenti i shtetit fqinj erdhi në kohën kur ne ballafaqohemi me krizë institucionale dhe lëndoi edhe më shumë kredibilitetin e cenuar të institucioneve qeverisëse të Kosovës

Nga Mimoza Kusari* Kredibiliteti i institucioneve të Kosovës Shumë u fol dhe u tha për "lejen" e Qeverisë së Kosovës për vizitën e Tadiçit në Kosovë. Në përgjegjësi u morën të gjithë, pozita dhe opozita. Për pozitën dihet se flasim se nuk u desh të "lejohej" hyrja e Tadiçit, ndërsa opozita u desh të reagojë në Parlament dhe të tregojë se fqinji i cili shkel mexhën tonë në mënyrë të vazhdueshme është persona non grata në Republikën e Kosovës. Shikuar nga këndi i funksionalitetit institucional, përgjegjësi kanë edhe pozita, edhe opozita. Shumë më lehtë zihemi dhe bëhemi agresivë ndaj njëri-tjetrit, sesa që marrim forcën dhe energjinë të ulemi dhe të hartojmë strategji për menaxhim të raportit me shtetin që pa u kthyer fare në të kaluarën, sot na bën dëmin më të madh në sferën politike, diplomatike dhe ekonomike. Një gjë është e sigurt: Presidenti i shtetit fqinj erdhi në kohën kur ne ballafaqohemi me krizë institucionale dhe lëndoi edhe më shumë kredibilitetin e cenuar të institucioneve qeverisëse të Kosovës. Por, ky nuk është dëmi i vetëm që kemi nga Serbia në janarin e vitit 2010. Dëmi i Serbisë mund të vlerësohet në baza ditore dhe këtij dëmi mund t'i vihet çmimi i saktë. Kostoja kryesore e dëmit të Serbisë është rasti i humbur për një mirëqenie të qytetarëve të Kosovës vit pas viti. Kosova nuk mund të dalë nga kriza politike pa pasur një mirëqenie dhe një zhvillim të qëndrueshëm. Problemet të cilat Serbia ia shkakton Kosovës shkojnë përtej një lajmi në mediet kosovare për deklaratat politike të Tadiçit nga Manastiri i Deçanit. Dëmet e Serbisë ndaj Kosovës, përveç atyre të dukshme të luftës dhe pasluftës, sot ndjehen në lëkuren e tërë popullatës kosovare. Fondi i privatizimit Bllokimi i 80 % të Fondit të privatizimit jashtë Kosovës ka rrjedhur si pasojë e mbajtjes së kësaj përqindjeje për pretendimet e pronarëve të mëparshëm të pasurisë së krijuar në Kosovë nga kosovarët. Këta pronarë nënkuptohet se janë nga vendet e ish-Jugosllavisë, ndërsa transferet më problematike të pronës janë bërë nga Serbia dhe ndërmarrjet e saj në kohën e okupimit të Kosovës. Investimi i fondit jashtë ishte konsensusi i arritur për të filluar transferin e pronës prej pronësisë shoqërore në atë private. Sot, të gjithë i shohim dhe i ndjejmë pasojat e një privatizimi të tillë. Ndërsa më së paku nga i gjithë ky proces fiton Kosova. Tregtia e lirë Kosova është vendi me deficitin më të madh tregtar në rajon në raportin export-import dhe vendi që më së paku ka përfituar nga Marrëveshja e tregtisë së lirë, CEFTA. Shtetet të cilat i kanë sjellë Kosovës probleme të vazhdueshme janë: Serbia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe nganjëherë edhe Shqipëria. Problemi i vitit 2010 për Kosovën dhe tregtinë e lirë është se Serbia është kryesuese e radhës së Sekretariatit të CEFTA's. Ky është një lajm i cili paralajmëron abstenim të sigurt të përfaqësuesve kosovarë në mbledhjet e këtij sekretariati dhe probleme të tjera pasuese me plasimin e mallrave kosovare në rajon. Qeveria jo vetëm që nuk ka strategji, por as ide konkrete si duhet të ballafaqohet me këtë problem jetik për prodhuesin kosovar. Në të njëjtin vit, Serbia paralajmëron se 1/3 e prodhimeve të saj planifikohet të plasohen në tregun rajonal. Destabiliteti politik i Kosovës dhe çmimi i mungesës së investimeve Vite me radhë, mungesa e pavarësisë së Kosovës është vlerësuar si problemi kryesor në tërheqjen e investimeve të huaja. Gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova rreshtohet me vendet afrikane në raportin e Bankës Botërore për parametrat në vendet ku bëhet biznes më mirë. Nga 183 vendet e vlerësuara, Kosova tash gjendet në 20 vendet e fundit. Kjo nuk është vetëm atribut i problemeve me Serbinë, por një numër i konsiderueshëm i çështjeve të lidhura me ambientin e investimeve do të derivojnë nga problemet që lidhen me Serbinë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ka Serbia në: madhësinë e tregut (mosimplemetimi i Marrëveshjes së CEFTA's), stabilitetin rajonal dhe problemet me veriun e Kosovës, marrëdhëniet me fqinjët dhe qasjen në rrugët rajonale. Këto janë vetëm disa nga problemet të cilat Kosova i posedon si pasojë e pengesave të vazhdueshme nga Serbia. Varshmëri më e madhe se ajo e prezantuar për festa ortodokse Varshmëria e Kosovës nga Serbia në aspektin ekonomik është përditshmëri për qytetarin e Kosovës andaj edhe duhet të trajtohet në raportet e institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë, jo vetëm në festat ortodokse, gjate vizitës së Presidentit Tadiç. Kosova duhet të vendosë se si do të rezistojë dhe punojë konform pengesave të vazhdueshme nga Serbia. Kjo strategji duhet të jetë e përpiluar në nivel kombëtar dhe të përfshijë institucionet më të larta të shtetit. Nuk mund të pretendojmë se ne si Kosovë do të zhvillohemi, ndërsa vendi fqinj nuk lë rast pa na penguar dhe promovuar Kosovën si jostabile. Kosova më shumë se kurrë duhet të tregojë se reziston me masën e njëjtë të reciprocitetit ndaj qarkullimit të produkteve dhe njerëzve, dhe ndoshta zyrtarët e lartë serbë do ta respektojnë "sanksionin" e fjalimit politik të Qeverisë së Kosovës në vizitën e tyre të radhës në Kosovë. (Autorja është zëvendëspresidente e AKR-së dhe kolumniste e rregullt e gazetës Express)

KOMENTE