Shkup, 9 Janar NOA - Kalimi i këshilltarit te Komunës së Haraçinës Bekim Alimi nga radhët e DR-së në PDSH është bërë për interesa të tij personale, pasiqë ky i njëjti nuk ka arritur që të punojë me tempon që ka diktuar Kryetari i Komunës së Haraçinës, z. Bastri Bajrami, kështu që ai është lodhur shumë shpejtë të punojë në të mirë dhe interes të qytetarëve të Haraçinës.
Ky ishte reagimi që bëri Demokracia e Re duke vlerësuar se për këtë parti ky akt nuk paraqet ndonjë shqetësim, sepse mbi të gjitha në DR dominojnë anëtarë me moral të lartë politik dhe kombëtar, njerëz të cilët nuk joshen nga përfitimet personale.
Të gjithë ata që nuk i përmbahen këtyre parimeve janë thjesht humbës dhe e kanë vendin te humbësit politikë, atje ku edhe shkojnë, - komenton Demokracia e Re, duke shtuar se ajo është në rrugë të drejtë të politikëbërjes.
"Ne punojmë për interesat e përgjithshme të qytetarëve dhe nuk na tërheqin interesat personale, ashtu siç ndodh me disa të tjerë", - përfundoi reagimi nga Demokracia e Re.
a.b/e.r/NOA