Tiranë, 9 janar NOA/ Blerina Ahmetaj - Bilanci i viktimave të gripit pandemik AH1N1 po rritet frikshëm si pasojë e rasteve të rënda që po paraqiten këto ditë në dy spitalet e mëdha të kryeqytetit, ai i QSUT dhe Sanatoriumi ku edhe janë raportuar vdekjet më të shumta nga virusi pandemik.
Burime zyrtare nga Spitali i Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi" në Tiranë i thanw sot agjencisw NOA se një tjetër paciente 57 vjeccare rrezikon jetën si pasojë e gripit të derrit.
"Aktualisht në sallën e Reanimacionit kemi një paciente nga Mirdita e moshës 57 vjeçare e cila prej disa ditësh mbahet në jetë në sajë të aparaturës respiratore pasi gjendja e saj është mjaft e rënduar. Pacientja vuan nga diabeti dhe anemia", tha për agjencinë e lajmeve NOA, shefi i Reanimacionit të Sanatoriumit, Arjan Mezini.
Sipas Mezinit, pacientja 57 vjeçare në Sanatorium që po mbahet në jetë me frymëmarrje të drejtuar, është për momentin i vetmi rast i rëndë nga AH1N1.
Po në këtë spital, mbrëmjen e shkuar gjeti vdekjen një 64-vjeçar nga Durrësi i prekur dhe ai nga gripi id errit. Viktima është rasti i 12-të i vdekjeve për shkak të AH1N1.
Sipas të dhënave të buletinit epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik, rastet e konfirmuara me AH1N1 janë rreth 417 në të gjithë vendin, të shpërndara pothuajse në të gjithë gjitha zonat gjeografike të vendit gjë që flet për qarkullim të virusit thuajse në të gjithë vendin.
Ajo çka është e rëndësishme të theksohet është se numri më i madh i rasteve vërehet në zonat kryesore urbane apo në ato rrethe ku ka pasur grumbullime dhe pikërisht në Tiranë dhe në Durrës ku është marrë dhe numri më i madh i mostrave apo Mat ku është evidentuar grumbullimi i parë në shkolla si edhe në rrethet e tjera të cilat paraqesin edhe incidencën më të lartë të infeksioneve respiratore (në rrugët e frymëmarrjes).
b.a/r.b/NOA
Lexoni më shumë mbi argumentin:
Viktima e 12-të nga gripi i derrit, 62-vjeçari nga Durrësi prej një muaji në reanimacion