English

Obama: Kur sistemi dështon, përgjegjësia është e imja

Nga Heather Maher

Uashington 9 Janar NOA - Presidenti Barak Obama ka urdhëruar një varg të hapave, që synojnë përmirësimin e aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të vepruar në mënyrë më efikase, lidhur me shqetësimet e inteligjencës për kërcënime terroriste. Mbrëmë vonë, ai ka deklaruar se kur sistemi dështon, është përgjegjësi e tij. Presidenti Barak Obama, në fjalimin televiziv, me një fjalor të ashpër e ka përshkruar sistemin, për të cilin mendohet se duhet t'i mbrojë amerikanët.

"Ne jemi në luftë. Ne jemi në luftë kundër al-Kaidës, që është një rrjet i gjerë i dhunës dhe i urrejtjes, që na sulmoi më 11 shtator, me ç'rast u vranë afro 3 mijë njerëz të pafajshëm dhe që po bën komplot për të na sulmuar përsëri. Ne do të bëjmë çdo gjë të mundur për t'u shkaktuar disfatë atyre", ka thënë Barak Obama. Masat e reja përfshijnë edhe urdhrin për agjencitë e komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, që në mënyrë agresive dhe me prioritet të përpunojnë çdo informacion për kërcënim dhe të shkëmbejnë informacione më gjerësisht dhe më shpejt. Po ashtu, janë forcuar kriteret që përdoren për përfshirjen e njerëzve në listën amerikane të terrorit. Reformat janë më tepër burokratike, sesa ndryshime dramatike në aparatin e sigurimit shtetëror, por Obama ka premtuar se amerikanët do të jenë më të sigurt. "Marrë së bashku, këto reforma do ta përmirësojnë aftësinë e komunitetit të inteligjencës për të mbledhur, shkëmbyer, integruar, analizuar dhe vepruar shpejt dhe me efikasitet. Shkurt, ato do ta ndihmojnë komunitetin tonë të inteligjencës që edhe më mirë ta kryejë punën e tij dhe t'i mbrojë jetët e amerikanëve", ka thënë Barak Obama. Urdhrat e presidentit Obama u bënë pasi një shtetas 23-vjeçar i Nigerisë, Umar Faruk Abdulmutallab, u përpoq që ta hedhë në erë aeroplanin me 278 udhëtarë në relacionin Amsterdam - Detroit, në Ditën e Krishtlindjeve. Përkundër thirrjeve në adresë të presidentit Obama, për t'i shkarkuar disa nga zyrtarët e tij të lartë të sigurisë, ai ka sinjalizuar se, tash për tash, nuk ka plane ta bëjë këtë. "Unë jam më pak i interesuar në fajësim, e më tepër në mësim dhe në përmirësimin e këtyre gabimeve, që të jemi më të sigurt. Tash për tash, përgjegjësia ndalet tek unë. Si president, kam përgjegjësi serioze për ta mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Dhe kur sistemi dështon, është përgjegjësi e imja", ka thënë presidenti Barak Obama. Ai ka theksuar se ka kërkuar nga sekretarja për siguri të brendshme, Xhenet Napolitano, që ta forcojë partneritetin me shtetet e tjera, në përpjekje për përmirësimin e sistemeve të skenimit për terroristët. Sekretarja Napolitano ka thënë se për suksesin e shtetasit të Nigerisë për të hyrë në aeroplanin në Amsterdam, nuk mund të fajësohen zyrtarët amerikanë. "Administrata për siguri të transporteve e Shteteve të Bashkuara nuk e udhëheq kontrollin tej oqeanit dhe incidenti në Ditën e Krishtlindjeve tregon se procedurat e kontrollit në aeroportet e jashtme, janë të një rëndësie të madhe për sigurinë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara". "Megjithatë, ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundshme për inkurajimin e autoriteteve të jashtme që t'i përdorin teknologjitë e njëjta, të avancuara për sigurinë e aeroplanëve. Duhet të thuhet se në aeroplan ishin udhëtarë nga 17 vende. Kjo është çështje ndërkombëtare, e jo vetëm çështje e Shteteve të Bashkuara", ka thënë Xhenet Napolitano i cituar nga RFE. Shtetasi 23-vjeçar nga Nigeria, Umar Faruk Abdulmutallab, para se të rekrutohej nga al-Kaida në Gadishullin Arabik, nuk kishte lidhje terroriste. Presidenti Obama ka theksuar se "pjesa më e madhe e myslimanëve e kundërshton al-Kaidën". "Ne duhet të komunikojmë qartazi me myslimanët në mbarë botën, se al-Kaida nuk ofron asgjë, përveç një vizioni të falimentuar të mjerimit dhe vrasjes, përfshirë edhe vrasjen e vetë myslimanëve, ndërsa Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata që synojnë drejtësi dhe progres". "Për ta avancuar këtë progres, ne synojmë fillime të reja me komunitetet myslimane në mbarë botën, mbi bazën e interesit dhe respektit të ndërsjellë. Ne do të punojmë së bashku për t'i plotësuar aspiratat, që i kanë të gjitha kombet: që të kenë arsim, të punojnë me dinjitet dhe të jetojnë në paqe dhe siguri". "Kjo është ajo, në të cilën besojnë Shtetet e Bashkuara. Ky është vizioni që është shumë më i fuqishëm sesa urrejtja e këtyre ekstremistëve të dhunshëm", ka thënë Barak Obama.Â

KOMENTE