English

Presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiç u shpall Qytetar Nderi i Prishtinës

Prishtinë, 9 Janar NOA - "Prishtina ka pasur një mysafir të veçantë, njeriun që bëri shumë për Kosovën, politikanin, i cili popullit kosovar i dha përkrahjen në ditët më të vështira dhe më vendimtare, presidentin e Republikës së Kroacisë, mikun tonë Stjepan Mesiç".

Kështu ka thënë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, me rastin e shpalljes Qytetar Nderi, presidentin Mesiç, ku në një ceremoni rasti Komuna e Prishtinës, e ka dekoruar me "Hyjneshën në Fron" e praruar në ar, që është dekorata më e lartë që ndanë Kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina.

"Presidenti Mesiç, u tregua gjatë gjithë kësaj kohe si mbështetës i paluhatshëm i Kosovës i të drejtës së saj për pavarësi dhe liri. Ai në asnjë rast nuk hezitoi të shprehet se Kosova kishte të drejtat e barabarta sikurse regjionet e tjera të ish Jugosllavisë. Në deklaratat e tij publike, ai theksoi se Serbia duhet të kërkoj falje për atë që bëri në Kosovë", ka thënë kryetari Mustafa në fjalën e tij para të pranishmëve në ceremoninë e shpalljes "Qytetar Nderi", presidentin Mesiç.

Kryetari Mustafa me këtë rast tha se "pikërisht presidenti Mesiç ishte ai që vlerësoi se e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan është individualizimi i fajit për krimet e bëra gjatë luftërave të viteve nëntëdhjetë në hapësirat e ish-Jugosllavisë".

"Ai shprehej se Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe në këtë hapësirë u krijua një realitet i ri, realitet të cilin e njohën shumë vende. Sajë një qëndrimi të tillë të Presidentit Mesiç dhe të popullit kroat, Kroacia ishte ndër vendet e para dhe shumë të rëndësishme që njohu pavarësinë e Kosovës".

Të pranishëm në sallën e madhe të objektit të ri të Komunës, përveç presidentit Fatmir Sejdiu ishin edhe këshilltarët komunal dhe personalitete të larta shtetërore.

Presidenti Mesiq me këtë rast shprehu falënderimin e tij të përzemërt për titullin e dhënë atij nga komuna e Prishtinës.

"Këtë dekorim e shoh dhe e vlerësoj në kontekstin e vizitës time zyrtare e cila është vizita e parë zyrtare e një presidenti të Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës. Në të gjitha fushat në marrëdhëniet tona hapin kapitull të ri. Mendoj që kishte me qenë mirë të vendosen edhe marrëdhëniet më të afërta midis Prishtinës dhe Zagrebit dhe unë gjithsesi do të angazhohem për këtë", tha presidenti Mesiç.

Pushteti i qytetit të Prishtinës, sipas Mesiçit, ka vlerësuar se ka mjaftë arsye të veçojnë dhe të shpërblejnë rolin e tij personal në ndërtimin e marrëdhënieve kroato-kosovare, por edhe në ndryshimin e rrethanave në tërë rajonin.

"E ardhmja e jonë është në bashkëpunim. Kur e them këtë, mendoj si në Kroacinë ashtu edhe në Kosovë, po ashtu edhe në të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe ato të cilat sot ende nuk e pranojnë Kosovën e pavarur", theksoi ai.

Stjepan Mesiç lindi më 24 dhjetor 1934 në Orahovicë të Kroacisë, ku ka ndjekur gjimnazin, kurse ka diplomuar në drejtësi në Universitetin e Zagrebit. Nga viti 1964 jeton në Zagreb.

Në vitin 1966 ishte i vetmi që u zgjodh si kandidat i popullit në dhomën e komunave në Orahovice duke mundur kandidatët komunistë dhe atë të lidhjes socialiste, kurse në vitin 1967 bëhet kryetar i kësaj komune dhe anëtar i Kuvendit të Kroacisë.

Në vitin 1971, si mbështetës i "Pranverës Kroate" kur u kërkua liberalizim dhe pavarësi më e madhe e republikave si dhe reduktim i autoritetit dhe influencës së federatës, Stjepan Mesiq u akuzua për "propagandë armiqësore u dënua dhe mbajti një vit e gjysmë burg në Stara Gradishke. Pas kësaj, një kohë të gjatë e kishte vështirë të gjejë punë përderisa u punësua në një firmë të arkitekturës dhe u bë drejtor i saj.

Në zgjedhjet e para shumë partiake të vitin 1990 si kandidat i HDZ-së u zgjodh Kryeministër i Kroacisë. Në vitin 1991 zgjidhet Kryetar i fundit i RSFJ-së. Pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë, në vitin 1992 zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Kroacisë.

Në vitin 1994 u kundërvihet politikave qeveritare ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, del nga HDZ dhe themelon Partinë Demokratët e Pavarur të Kroacisë (HND) ndërsa më vonë i bashkohet Partisë Popullore Kroate (HNS).

Si anëtar i kësaj partie, Mesiç në vitin 2000 zgjidhet për President të Kroacisë. Për herë të dytë për President zgjidhet në vitin 2005.

Fitorja e tij sinjalizon një epokë të re për demokraci dhe afirmim të Kroacisë në arenën ndërkombëtare. U angazhua për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, bashkëpunimin në regjin dhe zhvillimin e marrëdhënieve me vendet evropiane dhe botërore.

Presidenti Mesiç, u tregua gjatë gjithë kësaj kohe si mbështetës i paluhatshëm i Kosovës i të drejtës së saj për pavarësi dhe liri.

Ai në asnjë rast nuk hezitoi të shprehet se Kosova kishte të drejtat e barabarta sikurse regjionet e tjera të ish Jugosllavisë. Në deklaratat e tij publike, ai theksoi se Serbia duhet të kërkojë falje për atë që bëri në Kosovë.

Duke marrë parasysh kontributin e madh që Shkëlqesia e tij, President Mesiq e dha për Kosovën, Kuvendi i Komunës së Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 29 dhjetor të vitit 2009 mori: "Vendim për ta shpall qytetar nderi të Komunës së Prishtinës, për mbështetjen shumëvjeçare të Kosovës dhe të drejtës së popullit të saj për vetëvendosje dhe pavarësi".

a.b/e.r/NOA

KOMENTE