English

Shkrimtari Miço Kallamata shpallet "Qytetar Nderi" në Fier

Nga Milena Selimi

Tiranë, 9 Janar NOA - Është nderuar sot në Bashkinë e Fierit shkrimtari, publicisti dhe veprimtari, Miço Kallamata. Në një ceremoni, ku merrnin pjesë personalitete të artit dhe kulturës, miq, veteranë dhe të afërm të shkrimtarit u nderua me titullin "Qytetar Nderi" shkrimtari që nuk jeton më, Miço Kallamata.

Aktiviteti filloi në sallën e Mbledhjeve të Bashkisë, vazhdoi në sheshin që do të mbajë emrin e tij në Sheq, dhe rreth orës 11.00 në Biblioteken e qytetit. Emri i shkrimtarit Miço Kallamata i jepet një prej rrugëve kryesore në hyrje të Fierit, (Sheq) ku, në prani të pjesëmarrësve në këtë veprimtari u zbulua edhe pllaka me emrin dhe reliefin e tij në profil, realizuar nga skulptori, Haxhi Kalluci.

Ceremonia e dhënies së titullit vazhdoi në Bibliotekën e Qytetit, ku mbajtën fjalën përveç përfaqësuesit të bashkisë edhe Teodor Laço si dhe u lexua një përshëndetje e Pëllumb Kullës. Aktorë të Teatrit të Fierit interpretuan disa skeçe të shkruara nga Kallamata, ndërsa në hollin e Bibliotekës një ekspozitë me foto nga jeta e shkrimtarit, veprat e tij dhe dekoratat e çmimet që ka marrë gjatë jetës.

Kush është Miço Kallamata

Miço Vangjel Kallamata ka lindur më 27 Tetor 1922 në Fier. Në vitin 1938 filloi studimet në shkollën teknike (amerikane) të Kavajës. Ishte ende shumë i ri kur iu desh të punonte në puset e naftës në Kuçovë, duke ndjerë peshën e padrejtësive shoqërore dhe varfërisë, gjë që e hodhi, si shumë të rinj të kohës, në radhët e grupeve komuniste.

Pas pushtimit të Shqipërisë, ai iu bashkëngjit lëvizjes anti-fashiste dhe në kohën e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1941 bënte pjesë në organizatën e Fierit.

Për veprimtarinë e atij antifashiste arrestohet nga italianët më 1942 dhe vetëm një vit më pas, pas arratisjes nga burgu rreshtohet në radhët e partizanëve.

Në gusht 1944 emërohet komisar i Brigadës së XVIII të Dibrës dhe pastaj komisar i Brigadës VII Shqiptaro-Maqedonase, ku u dallua për trimëri dhe aftësi drejtuese në luftimet dhe betejat në Jugosllavi.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore Miço Kallamata, ende 23 vjeç, mbante gradën "Major" dhe gjashtë dekoratat më të larta të akorduara nga Ushtria Shqiptare: Urdhri i "Flamurit", Urdhri "Ylli Partizan", Urdhri i "Trimërisë", Medalja e "Trimërisë", Medalja e "Çlirimit", Medalja e "Kujtimit".

Njëkohësisht ai kishte marrë të plota edhe të gjashtë dekoratat e larta që akordonte Ushtria Jugosllave, duke figuruar kështu si një ndër vetëm katër kuadro të Luftës që dispononin dymbëdhjetë dekorata.

Ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë, krijuesi i shoqatës së "Gjuetarëve të Shqipërisë" dhe hartues i Statutit të saj në përputhje me normat dhe rregullat e mbrojtjes së ekosistemit të faunës.

Pavarësisht veprimtarisë dhe punës në fusha të tjera, pasioni i vërtetë i Miço Kallamatës ka qenë gjithmonë letërsia. Që në ditët e burgut fashist ai nisi të shkruante vjersha e skeçe për grupin teatral të të burgosurve.

Më pas, gjatë kohës që ishte partizan vazhdoi të shkruajë skeçe e tekste këngësh, ndër të cilat disa u bënë aq të njohura saqë në botime të mëvonshme u futën edhe nën autorësinë "këngë popullore".

Në vitin 1947 filloi të bashkëpunojë me revistën "Hosteni", me tregime që dalloheshin për humorin dhe satirën e hollë. Në vitin 1949 fitoi çmimin e parë me dramën "Miq të dyshimtë".

Në vitin 1955 botoi vëllimin e parë me tregime të titulluar "Gjembat e Trëndafilit", që u pasua nga vëllimet "Net gjahtarësh" e "Shokë lufte". Më 1971 botoi romanin e parë satirik "I fundit i oxhakut" dhe më 1973 një tjetër roman satirik "Nën hijen e dordolecëve", i cili u vlerësua me çmimin e dytë në konkursin e vitit 1974.

Po atë vit ai botoi vëllimin "Pjesë të zgjedhura" me tregime satirike të botuara gjatë kësaj periudhe në revista të ndryshme dhe më pas romanin "Shtigjeve të zëna" me temë nga Lufta. Në vitin 1978 botoi romanin satirik "Asnjanësia e Zotit Lulo" ndërsa në vitin 1980 romanin historik "Sos për mua a për ti... "

Përveç këtyre ai ka shkruar një numër të madh skeçesh, fejtonesh, tregimesh, skicash, dramash e reportazhesh letrare, të cilat janë botuar në revista e gazeta të ndryshme si ‘Ylli', ‘Nëntori', ‘Drita', apo dhe janë vënë në skenë nga trupat të estradave e teatrove.

Në vitin 1990 botoi dramën "Proskinesis", e cila u vu në skenë nga trupa e teatrit të Korçës, ku ironizohej dhe satirizohej etja për pushtet dhe instalimi i diktaturës së individit.

Në vitin 1991, me një analize të shkëlqyer të 50 vjetëve të veprimtarisë së Partisë në të cilën ai kishte marrë pjesë që në krijim, Miço Kallamata ishte ndër të parët që pati kurajën qytetare dhe personale për të dalë publikisht me shkrimin: "Proletarë të të gjitha vendeve - shpërndahuni".

Një pjesë e krijimtarisë së Miço Kallamatës është përkthyer në gjuhe të huaj si rusisht, bullgarisht, etj.

m.s/e.r/NOA milenaselimi@noa.al

KOMENTE