English

Situata e rënduar në Veri, Belortaja pret ekipin e BE për Mbrojtjen Civile

Tiranë, 9 Janar NOA - Në kuadër të koordinimit të menaxhimit të situatës së emergjencës së krijuar si pasojë e përmbytjeve në veri të vendit, Zv. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Selim Belortaja priti sot ekipin e Misionit të Qendrës së Monitorimit dhe Informimit për Mbrojtjen Civile të Bashkimit Evropian (MIC) i shoqëruar nga Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmut Lohan.

Belortaja, theksoi se Qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës në terren.

Gjithashtu ai i informoi ekspertët e MIC mbi zhvillimet më të fundit si dhe për masat që janë marrë nga strukturat e pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë edhe organizatat joqeveritare, në përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e përmbytjeve.

Z. Belortaja vuri në dukje se rëndësi të madhe në këtë fazë, merr menaxhimi dhe koordinimi i asistencës së ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, ai i falënderoi ekspertët e ardhur në Tiranë për gatishmërinë dhe reagimin e shpejtë ndaj kërkesës së Qeverisë shqiptare për asistencë.

Ekspertët e MIC, pasi paraqitën një përditësim të asistencës së ofruar deri në këtë moment, shprehën gatishmërinë e plotë për të ofruar ekspertizën më të mirë në menaxhimin e mbrojtjes civile dhe në organizimin sa më efikas të shpërndarjes së ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet.

Ambasadori Lohan, vuri në dukje se ekipi i ekspertëve të MIC iu përgjigj në kohë tepër të shpejtë kërkesës së Qeverisë shqiptare dhe se ata do jenë plotësisht operativë në terren duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet shqiptare.

Rreth MIC

Qendra e Informimit për Mbrojtjen Civile të Bashkimit Evropian (MIC), e operuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, është zemra operative e Mekanizmit Komunitar për Mbrojtjen Civile.

Ajo është në gatishmëri 24/7 dhe është e pajisur me punonjës dhe ekspertë në detyrë që punojnë me turne. MIC i jep vendeve akses në platformën e BE për mbrojtjen civile. Çdo vend i prekur nga fatkeqësi të mëdha natyrore - brenda apo jashtë BE - mund të kërkojë asistencë përmes MIC.

e.r/NOA

KOMENTE