Athinë, 9 janar, NOA - Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Drucas sërish ka kërkuar se pala greke dëshiron dhe kërkon zgjidhje për kontestin e emrit, mirëpo sipas tij, kjo është në duart e Gruevskit. "Ne duam zgjidhje, ne kërkojmë zgjidhje. Ajo është personalisht në duart e zotit Gruevski", ka porositur zëvendës-shefi i diplomacisë së Greqisë, Dimitris Drucas në një intervistë për televizionin satelitor grek ERT. Ai me këtë ka shpjeguar qëndrimin e Qeverisë në Athinë para diasporës greke. "Presim dhe shpresojmë se Shkupi në frymë konstruktive do të vjen në tryezën e negociatave në OKB.
Nuk dua të fshehë faktin se deklaratat që deri tani i kemi dëgjuar nga kreu shtetëror në Shkup nuk janë inkurajuese për ne", ka theksuar Drucas.
Ai ka përsëritur se Maqedonia nuk mund të fillojë negociatat paraqasëse në BE, pa zgjidhur paraprakisht kontestin e emrit.
Nga ana e tij, kryeministri Nikolla Gruevski dje shfaqi shpresë se bisedimet me Greqinë për problemin e emrit do të mund të vazhdonin nga fundi i janarit apo në fillim të shkurtit. "Deri tani nuk ka paralajmërim për vazhdimin e bisedimeve për emrin. Presim që nga fundi i janarit apo në fillim të shkurtit të ketë diçka", deklaroi kryeministri Gruevski. Gruevski si pozitive e vlerësoi deklaratën e Shtefan Fule, i cili si pasardhës i Oli Renit në pozicionin e komisionerit për Zgjerim, paralajmëroi mbështetjen për Maqedoninë dhe Turqinë në procesin e aderimit drejt Bashkimit. "Kjo është një deklaratë e mirë që na inkurajon që edhe më tutje të vazhdojmë me përpjekjet tona intensive, me reformat, por edhe me përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes për problemin që e imponoi Greqia. Është mirë kur kemi porosi të tillë dhe kjo në mënyrë plotësuese do tu japë impuls dhe fuqi të gjithëve që marrin pjesë në procesin e evropianizimit të Republikës së Maqedonisë", tha Gruevski. Në pyetjen nëse Qeveria ndjen trysni të përforcuar nga jashtë për tejkalimin e problemit në gjysmën e parë të këtij viti, Gruevski u përgjigj: "Kjo është e pranishme tërë kohën. Nuk ka diçka të posaçme. Kjo është e mirë të jetë e pranishme edhe te pala tjetër".
NOA-INA
Â
Â