Shkup, 10 Janar NOA - Sondazhi i Institutit për Demokraci Sociale u komentua sot nga partia Demokracia e Re e shqiptarëve të Maqedonisë e cila tha se ky institut është i themeluar nga LSDM dhe komentoi se sondazhi, është vetëm një fabrikim shterpë që nuk jep asnjë informacion real sa i përket rejtingut të partive politike.
"Ky sondazh, vetëm se i mban në ëndërr paritë LSDM dhe PDSH të cilat mundohet që nëpërmjet sondazheve partiake të tregojnë se kanë rritje të rejtingut të tyre", - thuhet në një komunikatë që lëshoi sot në mesditë DR.
Sipas saj, ajo që del në pah nga kjo anketë është marrëveshja politike e LSDM-së dhe PDSH-së e cila si duket është bërë udhërrëfyes kryesor sidomos i PDSH-së, pasi që siç duket edhe slogani i tyre aktual "Marrëveshje politike" ka të bëjë pikërisht me marrëveshjen që ata kanë bërë me LSDM-në dhe që nëpërmjet dy sondazheve të këtij pseudo instituti vërtetohet më mirë.
Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, vlen të rikujtojmë se pikërisht Branko Crvenkovski dhe Menduh Thaçi kanë qenë dy politikanët të cilët karrierat e tyre politike i kanë mbështetur në përplasjet, sharjet, fyerjet dhe ofendimet nga më të ulëta që i kanë adresuar njëri-tjetrit në të kaluarën, - vijon qëndrimi i DR.
Kurse vlerëson se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë që të dinë se çka parasheh marrëveshja mes LSDM-së dhe PDSH-së dhe shtron pyetjen tjetër: "Si mund t'i besojnë qytetarët shqiptarë këtyre dy personave që në të kaluarën kanë qenë armiq të përbetuar ndërsa tani janë shndërruar në miq të mëdhenj?"
Dhe në përfundim të reagimit, Demokracia e Re, konsideron: "Duke pasur parasysh të kaluarën e errët që këta dy politikanë të harxhuar të tranzicionit i ka kanë ofruar qytetarëve atëherë shtrohet pyetja se çfarë ardhmëri mund të ketë Maqedonia me po këta të dy politikanë tani më të bashkuar rreth një qëllimi".
a.b/r.b/NOA