Shkodër, 10 Janar NOA Foto update - Deputeti socialist Pandeli Majko kërkoi sot që në zonat e veriut të prekura nga përmbytjet, qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, informon korrespondenti i agjencisë NOA, duke iu referuar një konference për shtyp që ish-kryeministri mbajti në Zyrën e Shtabit të Emergjencës së PS që është ngritur për t'u ardhur në ndihmë banorëve të qarkut Shkodër.
Deputeti i PS i kërkoi Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të patur një organizim real në terren.
Presidenti, cilësoi Majko, duhet të mbajë peshën e institucionit që drejton: "Nisur nga qëndrimet e ndryshme, përfshi edhe Presidentin e Republikës, të cilët duan t'i japin një pamje rozë kësaj që po ndodh në shumë aspekte".
"Dëshiroj të them, - vijoi Majko, - se aktualisht situata në Qarkun e Shkodrës nuk ka nevojë për deklarime "komisarësh", por për një reagim në nivelin e situatës në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e një Qarku të rëndësishëm siç është Shkodra".
Në këtë pikë ai vlerësoi se duhet të merret në konsideratë aplikimi i gjendjes së jashtëzakonshme, duke qenë kështu në një linjë me opsionin e hedhur pak ditë më parë nga kryeministri.
Majko theksoi se duhet kryer mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit: "Mendoj se kriza tanimë ka shtresëzuar dhe menaxhimi i saj duhet të fillojë jo vetëm me hapin e parë, atë të emergjencës".
Majko kërkoi që strukturat e menaxhimit të krizës të identifikojnë gjithçka dhe të ngrihet një strukturë e qartë ligjore që jo vetëm të merret me identifikim, apo përcjellje të njerëzve me ndihma të ushtrisë, por në mënyrë të veçantë që të mos kemi një tendencë në vazhdim të nervozizmit të njerëzve, të cilët sipas komunikimeve tona nuk është se po vjen në ulje".
e.r/NOA
Lexoni: Berisha paralajmëroi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme por nuk e ktheu në vendim