Pseudofetari me kostum politikani bën nga një mëkat më shumë për çdo qiri që ndez në kishat e Kosovës, qirinj të cilët në vend që të ndriçojnë udhën drejt një të ardhme më të mirë për rajonin e popullin e tij, rrezikojnë të ndezin zjarre të reja e t'i djegin shanset që me bujari të tepruar po ia jep koha
Nga Ruben Avxhiu* Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ishte përsëri në vëmendje të medias këto ditë për shkak të vizitës së tij të përvitshme për Krishtlindjen ortodokse në Kosovë. Me gjithë kundërshtimin e pafuqishëm të Qeverisë së Kosovës dhe protestës së opinionit publik në Kosovë, Tadiç mori pjesë në meshën e mesnatës në një nga manastiret më të vjetra të Kosovës në Deçan. Vizita e tij dhe protesta e shqiptarëve u shfrytëzua mirë nga propaganda serbe. Së pari, Tadiç realizoi qëllimin e tij kryesor: të paraqitet në sytë e serbëve si nacionalist trim që sfidon kundërshtimin shqiptar dhe hyn në Kosovë kur të dojë. I njohur për qëndrimet e tij relativisht të buta karshi presioneve perëndimore, Tadiç sulmohet vazhdimisht nga opozita që e paraqet si tradhtar të interesave serbe në Kosovë. Së dyti, Serbia u përpoq t'i shfrytëzonte protestat shqiptare që t'i kujtojë botës se si gjoja serbët në Kosovë nuk guxojnë të shkojnë as në kishat e tyre sepse dhunohen nga shqiptarët jotolerantë. Me këtë rast përsëriten shifrat e kishave e manastireve të shkatërruara në Kosovë gjatë marsit të vitit 2004. Kosova ka të drejtë që nervozohet e proteston për vizitën e Tadiçit. Ky pseudo-kristian e politikan pa shtyllë kurrizore kërkon të fitojë pikë politike në kurriz të qetësisë publike të Kosovës, duke trazuar në radhë të parë vetë pakicën serbe të Kosovës. Ky "President edhe i Kosovës", siç e quan në mënyrë qesharake veten, vjen në Kosovë i rrethuar dhe shoqëruar nga trupa të armatosura deri në dhëmbë të forcave ndërkombëtare e nuk guxon të takohet as me shqiptarët e as me serbët. Ai pritet për mëshirë nga një qark klerikësh serbë të Kosovës, që kanë interesa të tyre të përfitimit politik në konkurrencë që vlon brenda vetë Kishës Serbe. Krishtlindje më ballkanike vështirë të gjesh. Megjithatë, fakti që ka të drejtë të nervozohet e të protestojë nuk mjafton për Kosovën. Ajo duhet të dijë të veprojë në mënyrë inteligjente në raste të tilla. Kjo është e domosdoshme në mënyrë që këto vizita të mos kthehen në reklama propagandistike serbe, por që të shërbejnë për të treguar fytyrën e vërtetë të problemeve me Beogradin. Së pari, Kosova duhet të pushojë se deklaruari se nuk do ta lejojë Tadiçin që të hyjë në Kosovë. Kjo po bëhet paksa qesharake. Pas kaq vitesh, asnjëherë nuk e kanë ndaluar dot. Gjithmonë në fund, ndërkombëtarët vendosin duke nënvizuar se shteti i ri i Kosovës ende ka një sovranitet të kufizuar. Prishtina duhet ta thotë fjalën vetëm atëherë kur e di se mund ta mbajë. Përndryshe, le të mos hyjë në një lojë të kotë retorike që shërben vetëm për ta bërë Tadiçin që të duket si trim në Serbi, e shqiptarët si pengues të ceremonive fetare. Së dyti, Kosova duhet t'i shfrytëzojë Krishtlindjet serbe për të kërkuar botërisht që Tadiçi e të tjerë të tregohen vërtet të krishterë e të kërkojnë ndjesë për dhunën aspak kristiane që Serbia zhvilloi në Kosovë, për krimet e masakrat, për djegiet, përdhunimet e dëbimet masive. Kështu, qirinjtë e ndezur nga Tadiç dhe kompania do të shërbenin për të treguar fytyrën e paturpshme e hipokrite zyrtare serbe, që flet për paqe aty ku e ka vrarë paqen e flet për bashkëpunim aty ku shkaktoi katastrofa duke injoruar çdo standard njerëzor. Së treti, në raste të tilla Kosova duhet t'i lërë hapësirë e t'i japë zë komunitetit të saj katolik. Nuk ka më bukur nëse protesta kundër Tadiçit në ditën e Krishtlindjeve serbe vjen nga katolikët shqiptarë të Kosovës, që gjithashtu u vranë nga serbët. Kosova, ashtu si mbarë kombi shqiptar, është bekuar me larmi fetare dhe kjo duhet shfrytëzuar për t'ia përplasur në fytyrë Serbisë hipokrizinë e saj pseudo-kristiane. Këta njerëz vijnë që të luten në publik për kthimin e Krishtit, pikërisht në tokën ku e kanë përdhosur emrin e tij. Çfarë kujtojnë se do të ndodhte me ta po të kthehej vërtet ai? Sigurisht, në manastirin ku ishte Tadiç munguan shumë besimtarë të thjeshtë serbë të Kosovës, të cilët u mbajtën larg nga policia dhe forcat ndërkombëtare që të mos i prishnin qetësinë e reklamës politike vizitorit nga Beogradi, i cili edhe një herë vuri interesin e tij personal mbi atë të serbëve të Kosovës. Pseudofetari me kostum politikani bën nga një mëkat më shumë për çdo qiri që ndez në kishat e Kosovës, qirinj të cilët në vend që të ndriçojnë udhën drejt një të ardhme më të mirë për rajonin e popullin e tij, rrezikojnë të ndezin zjarre të reja e t'i djegin shanset që me bujari të tepruar po ia jep koha.
(*) Autori është Kryeredaktor i gazetës "Illyria" në New York