English

Një sy nga qielli dhe tjetrin nga digat, për të shpëtuar nga fatkeqësia

REPORTAZH/ Nga i dërguari i NOA në Shkodër - Paradokset në këto lloj situatash nuk mungojnë. Sepse njerëz të papërgjegjshëm, atë që ushtarët e ndërtojnë ditën, ata e shkatërrojnë natën, duke vjedhur gurët e argjinaturës. E kjo i ngjan vërtet asaj legjendës së Rozafës, ndërto ditën e shkatërro natën

Shkodër, 10 Janar NOA/Rid Bulku - Shtëpi të zëna nga të katër anët nga uji, pothuajse të gjitha të braktisura, fusha dhe rrugë që vetëm banorët e dinë se ku janë kufijtë e tyre për shkak të zënies totale nga uji. Kjo është pamja që të ofron ultësira e Shkodrës.

Që në rrugën hyrëse të qytetit, disa shirita të vendosura nga ushtria, paralajmëronin kufijtë e zonave të izoluar. Në një shtëpi që ndodhej pranë rrugës nacionale, e cila ishte krejtësisht e braktisur, të zotët e saj me anën e një karroce me kalë, po merrnin tagjinë e grumbulluar si ushqim për kafshët e shtëpisë, që i kishin marrë me vete gjatë evakuimit.

Shtëpia ishte e mbyllur ndërsa nga dritarja, shiheshin disa tesha të ngritura në lartësi. Dy burrat treguan se ishin strehuar tek të afërmit e tyre, deri sa të kthehej normaliteti. Në rrugën nacionale pranë urës së Bërdicës, efektivat e ushtrisë me mjetet e tyre të rënda, pas disa orë punë bën të kalueshëm rrugën drejt Shkodrës.

Uji nuk ka kursyer asnjë shtëpi të Bahçallëkut, Bërdicës dhe disa komuna të tjera të Shkodrës.

Totalisht nën ujë ndodhen edhe dy xhami, njëra pranë Harkut të Bërdicës dhe tjetra, xhamia e Plumbit, që ndodhet poshtë kalasë së Rozafës.

Disa orë pas qëndrimit në këtë udhëkryq, kënga e hoxhës në gjuhën arabe, të jepte idenë e lutjes Zotit, për të kaluar sa më shpejt kjo e keqe.

Pamjet e përmbytjes nuk i shpëtojnë as syrit të udhëtarëve të huaj, ku nga targa e automjetit të tyre kuptojmë se janë nga Mali i Zi, Kroacia në të vetmin aks që lidh këto vende me kryeqytetin e vendit.

Për dy ditë fshatrat e Bërdicës, Daragjatit, Trushit, nuk i shpëtuan përmbytjes, që fillimisht goditi Dajcin dhe Obotin.

Ushtarakët që nuk rreshtin së ndihmuari në evakuimin e banorëve dhe furnizimin e tyre me ushqime, tregojnë se kanë punuar gjithë këtyre ditëve në vendosje argjinaturash, ndërtime urash të lëvizshme, për të mos ndërprerë komunikimin.

Por paradokset në këto lloj situatash nuk mungojnë. Sepse njerëz të papërgjegjshëm, atë që ushtarët e ndërtojnë ditën, ata e shkatërrojnë natën, duke vjedhur gurët e argjinaturës. E kjo i ngjan vërtet asaj legjendës së Rozafës, ndërto ditën e shkatërro natën.

Që nga fillimi i kësaj situate të rëndë, forcat e ushtrisë, jo vetëm ato të emergjencave civile, por edhe forcat më të specializuar si Komando dhe të Reagimit të Shpejtë, po u gjenden pranë këtyre banorëve, të rrezikuar nga uji.

Një telefonatë dhe ata me mjetet e tyre të rënda varka dhe gomone, nisen direkt për të kryer detyrën e ngarkuar, për mos rrezikimin e asnjë jete njerëzish dhe për furnizimin me ushqime të të evakuuarve.

Me zemër të thyer, 6 familje të Daragjatit, lënë pas me kamionët e ushtrisë shtëpitë e tyre të përmbytura, ndërsa sytë i mbajnë lart në qiell duke iu lutur Zotit të mbajë dorën për të mos derdhur më shi dhe duke hedhur nga një sy edhe andej nga digat, se mos "u shkrepet" të hedhin edhe më shumë ujë.

/r.b/e.r/NOA/ Të tjera FOTO

KOMENTE