English

PD i kërkon Ramës "të heqë dorë nga presioni politik mbi mediat e pavarura"

Tiranë, 10 janar NOA - Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka deklaruar se kreu i opozitës, Edi Rama po sulmon median e sila po raporton vetëm të vërtetën.

"Dje Edvin Kristaq Rama, në një akt tërbimi të plotë ndaj eficencës së operacionit të shpëtimit të Komitetit Ndërministror për menaxhimin e situatës së përmbytjes në rrethin e Shkodrës, nuk kurseu në sulmin e tij as edhe mediat e lira të vendit.

Ai i kërcënoi ato në mënyrën më të denjë për etërit e tij biologjik e historik, dhe kjo vetëm e vetëm se ato kanë raportuar 24 orë në 24 nga të katër anët e zonave të përmbytura, gjendjen reale të operacionit të shpëtimit, evakuimit dhe ndihmës për qytetarët e këtyre zonave.

Edvini iu tha mediave se keni shitur lirinë tuaj vetëm se ato raportojnë të vërtetën mbi operacionet e ndërmarra nga qeveria në zonën e përmbytur" tha Mëhilli.

Sipas saj, Partia Demokratike i kërkon Edvin Ramës të heqë dorë nga presioni politik mbi mediat e pavarura të vendit, ato kanë bërë dhe po bëjnë detyrën me profesionalizëm të plotë.

"Telekronistët e tyre së bashku me mijëra zyrtarë lokalë e qendrorë, civil e ushtarak, anëtarë të Policisë së Shtetit dhe qytetarë të zonave të përmbytura po përballen prej mëse dy javësh me pasojat e rënda të një fatkeqësie natyrore, ndërkohë që ti bridhje hoteleve luksoze të Parisit dhe resorteve turistike të detrave të nxehta".

"Z.Edvin nuk ta kanë fajin gazetarët se raportojnë të vërtetën dhe nuk shpifin trillojnë e mashtrojnë sic do ti, por faji qëndron në ligësinë e shpirtit tënd që do të manipulojë edhe fatkeqësitë madhore natyrore", - përfundoi Mëhilli.

k.k/NOA

KOMENTE