English

Përmbytjet, organizohen operacionet e shpëtimit

Tiranë, 10 janar NOA - Ministria e Brendshme me anë të një deklarate për shtyp lëshuar ditën e sotme njoftoi se Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile vazhdon të organizojë veprimet dhe të ndërmarrë masat e nevojshme drejtpërdrejt nga terreni në të gjithë zonat, fshatrat e prekura nga përmbytja në qarkun e Shkodrës.

Në mbledhjen e paradites Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile, analizoi veprimtarinë gjatë 24 orëve të fundit së strukturave të ushtrisë, policisë dhe të institucioneve të tjera.

Pasi u analizua situata konkrete u ngarkuan me detyrat përkatëse strukturat e policisë, ushtrisë dhe të gjithë strukturat e tjera të angazhuara në kuadër të emergjencës civile.

Nga DBUMK në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë mbi bazën e planifikimit të përgatitur nga drejtoria e Bujqësisë të organizohen operacionet për furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë në komunat Dajç, Ana Malit, Velipojë.

Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër të mbështetura nga strukturat mbështetëse të Ministrisë së Brendshme të organizohen operacionet për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve, urave si dhe të bashkëpunojnë me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuimin e komunitetit nga zonat e përmbytura .

Nga strukturat e Forcave të Armatosura të vazhdojnë operacionet e dërgimit të ndihmave ushqimore të ardhura nga Rezervat e Shtetit për komunitetin dhe të bazës ushqimore për gjënë e gjallë për në komunat Dajç, Velipojë, Guri i Zi, Bashkia Shkodër (lagjet Livadhe, Bahçallek, Ajasem).

U ngarkuan me detyrë strukturat e Forcave të Armatosura për të përcaktuar pikat e kontaktit me strukturat e huaja të ardhura nga Maqedonia, Sllovenia, Greqia, Italia, për të hartuar planin e bashkëpunimit dhe të operacioneve më qellim futjen në veprim të tyre në ndihme të komunitetit për në zonat e përmbytura dhe qendrat e akomodimit të tyre.

U ngarkua me detyrë Drejtoria e Rezervave të Shtetit për hartimin dhe planifikimin e kërkesës së ndihmave për t'i pasur në gjendje pranë depove të Gjadrit për llogari të njësive vendore.

Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të shtetit ka shpërndarë deri më sot 17. 6 tonë sheqer, 14. 7 tonë makarona, 12. 6 tonë vaj ushqimor, 7. 5 tonë oriz, 7. 9 tonë konserva mishi, 1. 6 tonë fasule, 0. 5 tonë kripë, 7. 7 tonë ujë, 10 tonë detergjent, 10 mijë copë sapunë.

Po kështu nga kjo drejtori janë dërguar në Prefekturën e Shkodrës 78 çadra dhe janë dërguar për t'u përdorur për mbrojtje nga ujërat 41 mijë thasë rëre.

k.k/NOA

KOMENTE