English

Vrau kushëririn, kapet 70-vjeçari i dënuar me burgim të përjetshëm

Tepelenë, 10 janar NOA Update - Një 70-vjeçar i dënuar më burgim të përjetshëm është arrestuar mbrëmë nga policia.

Specialistët e Seksionit të Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kryen ndalimin e të moshuarit Latif Zholi, lindur dhe banues në fshatin Progonat të rrethit Tepelenë.

Burime nga policia thanë se i moshuari ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit më datë 10 prill të vitit 1995, e ka dënuar atë më burgim të përjetshëm, për veprën penale të "Vrasjes" .

Ngjarja për të cilën u shpall fajtori 70-vjeçari ka ndodhur në muajin korrik të vitit 1994 , në qendrën e fshatit Progonat kur ai ka vrarë me çifte 25-vjeçarin A.ZH 25 vjeç, kushëririn e vet pas një debati të fortë për kullota të bagëtive.

Në Mars të vitit 1997, pas trazirave të ndodhura, Zholi është larguar nga burgu i Burrelit dhe është fshehur në Itali, ku ka qëndruar 12 vjet.

Kohët e fundit u kthye në Shqipëri ku ishte fshehur në qytetin e Sarandës tek banesa e djalit të tij.

Specialistët e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë zhvilluar një operacion ku janë ndihmuar edhe nga forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Sarandë, ku si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe ndalimi i të moshuarit .

k.k/NOA

KOMENTE