Shkodër, 11 janar NOA - Kryeministri, Sali Berisha, pas takimit në prefekturën e Shkodrës, me Komitetin Ndërministror të Emergjencës, inspektoi fshatin Kuç, vetëm pak kilometra larg Shkodrës.
Në këtë fshat, Berisha vizitoi edhe një familje, e cila kishte pësuar dëme të konsiderueshme nga përmbytjet e ditëve të fundit.
Gjatë bisedës me familjarët, kreu i qeverisë garantoi ato se shteti do t'i mbështesë maksimalisht të gjithë banorët e dëmtuar, deri në stabilizimin e plotë të situatës.
"Do të regjistrojmë të gjitha dëmet dhe do t'i zhdëmtojmë ato, në çdo drejtim.
E rëndësishme në të gjithë këtë situatë, është që nuk ka pasur humbje në njerëz. Gjithashtu duhet të përpiqemi që të minimizojmë dëmet në gjënë e gjallë.
E rëndësishme është që ju të evakuoheni, pasi nuk bëhet trimëri me uji.
Qeveria do të përpiqet me çdo mjet që të zhdëmtojë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi " theksoi kryeministri Berisha gjatë takimit me banorët e fshatit Kuç.
Gjatë kësaj vizite, ku kryeministri Berisha u takua edhe pushtetarët lokalë, u shpreh se në shtator do të fillojë edhe projekti për thellimin e shtratit të lumit Buna.
"Në shtator kam rënë dakord me kryeministrin e Malit të Zi, të nisim bashkërisht punën për thellimin e Bunës, pra Bunën ta bëjmë të lundrueshme dhe kjo e rrit shumë kapacitetin tërheqës të saj. Kësaj here u bashkuan shumë gjëra, fryrja e detit, fryrja e liqenit, por ne do t'i kapim problemet një nga një" u shpreh Berisha.
k.k/NOA