English

Berisha në Shkodër: Situata drejt përmirësimit, kaskada nuk rrezikon

Shkodër, 11 janar NOA - Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë sot në takimin e zgjeruar, të zhvilluar në prefekturën e Shkodrës, me përfaqësues të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, Komitetit Ndërministror të Emergjencave, përfaqësues të shoqatave të prefekturave, bashkive dhe komunave të vendit, të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, deputetë të zonës, etj.

Ky takim kishte për qëllim solidaritetin dhe koordinimin e mëtejshëm të punës për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit të zonën e Shkodrës e të Lezhës, si dhe bashkërendimin e institucioneve për të mundësuar ndihmën ndaj banorëve dhe stabilizimin e të gjitha pasojave e dëmeve materiale e ekologjike, deri në normalizimin e jetës së banorëve në këtë zona.

Kryeministri falënderoi të gjitha vendet mike, Italinë, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën, Francën, e të tjera, si dhe institucionet ndërkombëtare, për ndihmën dhe soliditetin e treguar në këto ditë të vështira.

Berisha siguroi se operacioni do të mbetet tërësisht i përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe evakuimin e tyre, duke mbetur me përparësi madhore në furnizimin dhe ndihmën me çdo nevojë të të shpërngulurve dhe të atyre që nuk janë shpërngulur.

Për këtë, krye i qeverisë kërkoi që të angazhohen në këtë proces të gjitha organizmat joqeveritare dhe ato fetare, për aspektin humanitar të popullatës.

"Ne ndihmat i kemi dhe nuk na mungon asgjë, por duhet ta çojmë atë në mënyrën më eficente tek të gjithë ata që kanë nevojë", tha Kryeministri.

"Unë dua të garantoj qytetarët e Shkodrës e mbarë Shqipërisë se Korporata Energjetike e Shqipërisë, Ministria e Energjetikës, ka bërë një punë jashtëzakonisht eficente.

Ato u përballën me situatën më të jashtëzakonshme me kompetencën më të madhe.

Ata që mund të akuzojnë për digat po u them vetëm 2 fjalë, në qoftë i kthehemi fjalorit të vjetër, digat kësaj radhe kanë qenë "ora e Shkodrës", sepse vërshimet e Drinit, në mijëra metër kub të sekondë, të Gjadrit, të Kirit e të ujërave të tjera, do të mund të kishim pasur pasojat më të pa parashikueshme në këtë mot të pa përsëritur në 100 vitet e fundit.

Por digat dhe menaxhimi i tyre, bashkërendimi i këtij menaxhimi me situatën në terren- ky veprim i bërë çdo orë, mbajtja si parim kryesor sigurinë kombëtare, sigurinë publike, ka qenë një nga pjesët më të rëndësishme të këtij operacioni" tha Berisha i cili shtoi se e vërteta si drita e diellit është se Korporata Energjetike ka zbatuar me përpikëri rregulloren.

Kryeministri garantoi qytetarët e Shkodrës se nuk ekziston as edhe një rrezik i vetëm në funksionimin e të gjitha portave apo tuneleve të kaskadës.

k.k/NOA

KOMENTE