English

Farudin Hoxha: Shkupi të mbyllë portat që Drini të mos mbërrijë në Fierzë

FOTOT

Tiranë, 11 Janar NOA - Nëse Maqedonia do realisht që të ndihmojë fqinjët e saj, duhet të mbyllë portat në Strugë që ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në Fierzë". Këtë deklaratë ka bërë sonte, Akademik Farudin Hoxha, projektuesi i digave të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin.

"Maqedonia duhet të lëshojë sa më pak ujë në lumin Drin nga liqeni i Ohrit tek diga mbi liqen, në qytetin e Strugës. Maqedonia duhet që me urgjencë të ndihmojë Shqipërinë" ka deklaruar Akademik prof. Dr. Farudin Hoxha.

Në vazhdim ai ka shtuar: "Në Institutin Hidrobiologjik për Liqenin e Ohrit thonë se, me 15 m3 në sekondë, Liqeni i Ohrit do të ngrihet vetëm 1 metër lartësi dhe do të pakësohen ujërat që vijnë nga Drini Zi mbi Fierzë me 35 milionë metra kub ujë".

Akademik Farudin Hoxha vazhdon duke thënë se "derdhja e ujit në lumin Drini i Zi në qytetin e Strugës, thonë specialistët e Institutit Hidrobiologjik të liqenit, shkon 7 m3 në sekondë, e cila është e barabartë me sasinë e ujit që hyn nga Shën Naumi".

Duke përmendur edhe marrëveshjen bilaterale, Akademik Farudin Hoxha thotë: "Qeveria shqiptare duhet të mbledhë me urgjencë komitetin bilateral me shtetin maqedonas që të ndalojë derdhjen e ujërave nga Liqeni i Ohrit në Drinin e Zi, i cili mbërrin në Fierzë".

Hoxha kujton faktin se është një marrëveshje dypalëshe midis dy shteteve që nga viti 1956 (ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë), për disiplinimin dhe menaxhimin e ujërave.

"Edhe pse Shqipëria ndodhet para një situate dramatike, pala maqedonase çuditërisht nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv"- ka përfunduar Akademik Farudin Hoxha, duke kërkuar me forcë që autoritetet e Shkupit të mbyllin portat në Strugë që ujërat e Drinit të mos mbërrijnë në Fierzë.

e.r/NOA/INA

KOMENTE