English

Gjilan, gati manifestimi kulturor "Flaka e Janarit 2010

Gjilan, 11 janar NOA - Gjilani po bëhet gati për edicionin e 19-të të manifestimit kulturor, tashmë të kthyer në një traditë të bukur të këtij qyteti "Flaka e Janarit 2010".

Në këtë aktivitet të madh priten performanca, shfaqje dhe koncerte që prekin artin skenik, pamor, muzikor dhe letrar.

Sipas informacioneve paraprake të bëra publike për median, që nga shtatori i vitit 2009, Bordi Drejtues i Këshillit Organizativ ka shpallur konkurs në artin letrar, për tregim të shkurtër dhe poezi, kategori të cilat do të japin nga tri shpërblime.

Konkursi, me temë të lirë, është i hapur dhe mund të marrin pjesë krijuesit e të gjitha trojeve etnike shqiptare, me një apo më tepër punime, të pabotuara apo të papublikuara më parë, të cilat duhet të dërgohen deri më 20 janar, ndërsa juria përkatëse vlerësuese, rezultatet do t'i shpallë në faqen elektronike të Komunës së Gjilanit, më datë 25 janar.

Ora e Madhe Letrare është menduar të mbahet më 27 janar.

Në konkursin e artit pamor "Paneli i Flakës" do të jepen tri çmime të barabarta për pikturë, skulpturë dhe grafikë, si dhe çmimi blerës për Fondin e Galerisë në vlerën e 500 eurove. Ekspozita "Peneli i Flakës XIX" hapet më 17 janar në ora 19:00 në Galerinë e Qytetit në Gjilan.

Festivali i dramës fillon më 20 janar dhe zgjat deri më 25 janar, kurse shfaqjet fillojnë në ora 19:00, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Në këtë festival kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre trupa nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. "Drejt lirisë", është njëra nga shfaqjet teatrore pjesëmarrëse në këtë festival të dramës shqipe. Pjesa është një realizim i kompanisë " Era Production", me regji nga Robert Budina, shkruar dhe interpretuar nga Erand Sojli

"Fest Flaka", koncerti i muzikës popullore, pritet të mbahet në Teatrin e Gjilanit më 26 janar.

m.s/NOA

KOMENTE