Shqipërinë, sivjet, në Këngën e Eurovizionit që mbahet në Oslo, e përfaqëson Juliana Pasha me këngën "Nuk mundem pa ty". Juliana Pasha me këtë këngë fitoi në Festivalin e 48-të të RTSH-së
Menada Zaimi*
Juliana, kanë kaluar disa ditë nga momenti i fitores në Festivalin e 48-të të Këngës në Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Ndodh që emocionet ftohen pas kësaj, nuk është njësoj si në ditën e çmimit. Si ndjehesh tani? Në fakt, ajo që thua edhe ti tani, emocionet sikur janë ftohur një çik, megjithatë ndjehem shumë mirë. Ndoshta edhe për faktin që shumë njerëz vazhdojnë të më dërgojnë mesazhe urimi, vazhdojnë të më kujtojnë që jam fituesja e festivalit dhe kjo më bën të ndjehem shumë mirë.
Më tregoni emocionin e asaj dite! Juria, pothuaj e gjitha, votoi me pikët maksimale këngën "Nuk mundem pa ty". Çfarë po ndodhte me ty pas kuintave? Unë, në fakt, jam ndjerë shumë mirë. Jam ndjerë dhe shumë e emocionuar kur anëtari i parë i jurisë, Sajmir Braho, filloi të jepte pikët. Unë isha bashkë me tim shoq dhe im shoq më thotë "më duket se ke marrë 9 pikë". Pa diçka aty që thoshte vendi i 9-të. "Epo mirë", i thashë unë, ndërkohë që ende nuk kishte ardhur momenti i vlerësimit tim. Kur Sajmiri tha "20 pikë", ngela për momentin dhe ndjeva diçka vërtet shumë të ngrohtë në zemër. Kur filluan anëtarët tjerë të jepnin 20 pikë njëri, 20 pikë tjetri, u ndjeva shumë e vlerësuar në fakt, sepse ishte pothuajse një vendim unanim. Gati 90 për qind e anëtarëve dha një vendim unanim 20 pikë dhe ishte shumë, shumë mirë për mua. Jeni cilësuar si këngëtarja e muzikës ‘live'. Ka ndonjë arsye të veçantë pse ti preferon të këndosh ‘live'? Çfarë do të thotë kjo për një këngëtar? Të kënduarit ‘live' të jep një dorë më tepër, të jep diçka më shumë, pasi ke mundësinë të tregosh vetveten, ke mundësinë të tregosh çfarë ti di të bësh, aftësitë e tuaja dhe ndoshta kjo është përmendur shpeshherë për faktin që unë këndoj ‘live' kudo. E kam përmendur shpeshherë këtë gjë, është një nga pikat e mia më të forta besoj. Nuk është se ndjej vështirësi shumë në festival, pasi jam mësuar tashmë me skenat e vogla dhe kur kaloj në skenën e madhe, më duket sikur i kam përmbledhur të gjitha ato skena dhe bëhen të vogla bashkë në një. Nuk është se e ndjej shumë vështirësinë dhe emocionet i kam të pakta. E zgjodhën autorët e këngës Julianën apo ishte ajo që zgjodhi autorët? Si erdhi ky bashkëpunim? Pas mbarimit të festivalit të vjetshëm, unë fitova çmimin e dytë me këngën "Një jetë", në duetin me Luiz Eillin. Ndërkohë, bëhej festa pas festivalit, ku ishin mbledhur të gjithë artistët; takohem me Arditin dhe pasi ai më uron për çmimin e dytë, më bën një propozim për të bërë një këngë së bashku për vitin që vjen. Sigurisht që u ndjeva shumë e nderuar, u gëzova shumë, sepse një bashkëpunim me Arditin do të thoshte shumë për mua. Sigurisht, ishte një vlerësim nga ana e tij për mua. E pranova me shumë kënaqësi. Dhe, pikërisht para se të bëhej "Kënga magjike" e këtij viti, bisedova sërish me Arditin rreth këtij propozimi dhe ramë dakord që të bënim këtë këngë. Fitorja në këtë festival të bën ty automatikisht pjesëmarrëse në Festivalin Evropian të Këngës. Ç'do të thotë për ty ky moment? Për mua është një hap më shumë përpara. Të paktën, gjërat në jetën time kanë ardhur ngadalë, por kanë ardhur shumë mirë dhe shumë bukur. Në festival, kam tre vjet që vlerësohem me çmime dhe në fakt janë çmime që do të mbeten në histori; emri do të jetë i shkruar, që në këtë vit është marrë ky çmim, në këtë vit ky çmim dhe pikërisht këtë vit çmimi i parë. Kur kam marrë pjesë në festival, të paktën nuk ka qenë synimi im Eurovizioni. Gjithmonë, pjesëmarrja ime në festival ka qenë për t'u paraqitur mirë, për të dhënë atë çfarë Juli e jep gjithmonë te publiku ‘live'. Neve këngëtarëve që këndojmë ‘live', gjithmonë na është thënë: "ju këndoni ‘live', pse nuk dilni në festival të këndoni ‘live'". Unë kam pasur një periudhë pesëvjeçare që nuk merrja pjesë në festival dhe më pas fillova, pas pesë vjetësh, dhe u vlerësova me çmim të tretë, me çmim të dytë dhe tani me çmim të parë. Kështu që, Eurovizioni ka shumë punë dhe do të thotë shumë për mua. Duhet të jem shumë e përgatitur. Në radhë të parë, vërtet përfaqësoj Shqipërinë, por është Juli që do të dalë në skenë atje dhe nëse unë nuk do të dal mirë, kur të kthehem nga andej, do të jetë Juli që do të flitet për të dhe nuk do të jetë Shqipëria. Andaj, unë do të jem shumë e kujdesshme dhe shumë e përgatitur për të dhënë maksimumin tim atje. Në Eurovizion, vëmendje e posaçme u kushtohet elementeve skenike, si fakt që ndikojnë në votim. Ndoshta është herët, megjithatë, mund të na thuash nëse do t'i shtohet në këtë aspekt diçka e re këngës? Do ta interpretosh edhe në anglisht; do të jetë e vështirë për ty? Sigurisht që kënga do të bëhet në anglisht. Është një këngë që shkon shumë mirë në anglisht. Unë preferoj të këndoj më mirë në anglisht, sepse ndoshta ngaqë e kam praktikuar shumë, e kam edhe më të kollajtë. Pastaj, mendohet që nëse kënga do të pranojë back-vokale, do t'i shtohen back-vokale. Nëse jo, do të ketë një grup të mirë baleti, që do të na shoqërojë në skenë. Kështu që, duhet të mësohem mirë me ushtrime, me kërcimin, kam shumë punë përpara. Jam e bindur për këtë. Besoj se e keni krijuar një objektiv personal mbi atë se çfarë prisni të arrini në Eurovizion... Sigurisht, në dashtë Zoti, të dal sa më mirë, të paktën të jemi në finale, dhe më pas ashtu si ta ketë vendosur Zoti. Unë i besoj vetëm atij. Andaj, e kam lënë çdo gjë në dorën e tij. /rfe/FUND