Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 11 janar NOA - Të gjitha institucionet buxhetore kanë ndërmarrë një nismë humanitare për të sensibilizuar operatorët ekonomikë, me qëllim krijimin e një fondi të posaçëm, në mënyrë që familjet e Shkodrës të prekura nga fatkeqësia, të përballojnë situatën.
Qendra Kombëtare e Regjistrimit së bashku me Qendrën Kombëtare të Liçensimit si dhe Kryqi i Kuq Shqiptar kanë arritur një marrëveshje për t'i ardhur në ndihmë banorëve.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, çdo biznes i cili kryen procedurat në të dy këto qendra, mund të japë vullnetarisht ndihmë financiare.
Edhe Kryqi i Kuq ka bërë një plan afatshkurtër veprimi për të ndihmuar familjet, plan i cili do të konkretizohet me kalimin e situatës së emergjencës për zonat e Shkodrës.
Drejtori i QKR-së, Tomi Kola si dhe Drejtori i Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqyri Subashi i bënë sot thirrje biznesit që të solidarizohen me dhimbjen e banorëve.
Deri më tani biznese të mëdha në vend kanë krijuar një fond me donacionet për banorët e prekur, por efekti i dëmeve i cili ende nuk është llogaritur, duket se do të kapë shifra vërtet të larta.
r.l/NOA