Tiranë, 11 janar NOA - Përveç ndihmave që po shpërndahen në zonat e përmbytura në veri të vendit, edhe ministria e Punës po bëhet gati të ndërhyjë me ndihma tek familjet e prekura nga fatkeqësia.
Sipas drejtorit të kabinetit në ministrinë e Punës, Kleves Bitro, gjithçka është planifikuar të kryhet sipas detyrave që ministri Spiro Ksera ka marrë nga komiteti ndërministror i ngritur për përballimin e situatës emergjente.
"Për momentin kemi zbritur në terren inspektorët tanë të cilët po vlerësojnë situatën dhe nevojat e zonave të përmbytura që kanë nevojë për ndërhyrje.
Aktualisht po vihet në zbatim faza e parë e emergjencës me ndihma në ushqime dhe veshmbathjeve për banorët. Ne presim të ndërhyjmë në një fazë të dytë, ku mendojmë tu vijmë në ndihmë familjeve me ndihma reale në ushqime por dhe kujdes social për familjet e dëmtuara nga fatkeqësia", u shpreh Bitro.
Sipas tij, në bashkëpunim me ministrinë e Financave do të përllogaritet fondi i nevojshëm që do t'i duhet ministrisë së Punës për të përmbyllur fazën e dytë pas situatës së emergjencës.
Nga ana e tij, Shërbimi Social Shtetëror ka urdhëruar zyrat e saj në rrethe të përfshijnë në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet që pësuan dëme nga fatkeqësia në veri të vendit.
Drejtori Mihal Naco ka deklaruar se zyrave rajonale të shërbimit social i është vënë në dispozicion fondi i nevojshëm për të përfshirë në skemë familjet e reja të cilat humbën ekonominë në përmbytjet si pasojë e shkarkimeve të ujërave nga hidrocentrali i Fierzës.
b.m/NOA