Të tjera FOTO
Tiranë, 11 Janar NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta mori pjesë sot në përurimin e hapjes së Spitalit "Universal Hospital Tirana" si dhe zhvilloi një vizitë në ambientet e reja të këtij investimi të përbashkët shqiptaro-turk.
Gjatë fjalës së tij të hapjes, z. Meta u bashkua me urimin e Ambasadorit turk Hasan AÅŸan që "më e mira është që njeriu të mos ketë nevojë të vijë në spitale, por spitalet janë pjesë e jetës, dhe më e keqja është se ne kujtohemi për spitalet vetëm atëherë kur kemi nevojë për ndihmën e tyre".
Ndaj dua të theksoj, - vijoi z.Meta, - se jemi shumë të lumtur që sot marrim pjesë në inaugurimin e një vepre me të vërtetë për t'u krenuar, sikurse është spitali "Universal Hospital Tirana", i cili është fryt i përbashkët i investimit turk dhe atij shqiptar.
Meta buri në dukje se bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë ka qenë vërtetë shumë i çmuar përgjatë këtyre dy dekadave.
"Janë me mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë të cilët kanë përfituar shërbimin e mjekësisë turke ne Stamboll apo në Ankara", - tha z.Meta.
Ai siguroi se bashkëpunimi midis dy qeverive në këtë drejtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kurse duke folur për spitalin e ri tha se ai është i fjalës së fundit të shkencës dhe teknologjisë në fushën e mjekësisë, "i cili pa asnjë diskutim sjell teknologjinë më të avancuar të një vendi që ka bërë progres të jashtëzakonshëm në këtë fushë".
Me këtë rast në mënyrë të veçantë ai falënderoi Prof. Dr. Azmi Ofllogu i cili ka qenë nismëtar i këtij projekti kaq të rëndësishëm, dhe dy kompanitë investuese, nga Shqipëria "Deanda Sha" të z. Gazmend Demi dhe nga Turqia "Ege Sallëk" të përfaqësuar nga Dr. Ofllogu.
Meta konsideroi se ky investim i rëndësishëm sot në vendin tonë nuk është i rastësishëm duke pohuar se Turqia është një nga partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë.
Ai vërejti se investimet turke po rriten me shpejtësi në Shqipëri në të gjitha drejtimet, ashtu sikurse marrëdhëniet tona politike janë të shkëlqyera, si gjithmonë.
Vetëm gjatë shtatë muajve të fundit, Shqipërinë e ka vizituar Kryeministri i Turqisë z. Erdogan, Ministri i Jashtëm z. Davutoglu, dhe vetëm pak javë më parë edhe Presidenti i Turqisë z. Abdullah Gul.
Me këtë rast Meta shprehu vullnetin e qeverisë për të mbështetur ‘investimet e huaja, investimet turke në mënyrë të veçantë, pasi besojmë se në këtë mënyrë japim një kontribut real për t'i kthyer marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale midis dy vendeve në një burim prosperiteti për qytetarët tanë".
***
Në ceremoninë e sotme, veç z.Meta, investitorëve dhe drejtuesve të spitalit të ri, merrnin pjesë ambasadori aktual turk, dy ish-ministra të Shëndetësisë Turke, ish-kryeministri shqiptar Bashkim Fino, ish-ministri i Pushtetit Vendor dhe deputet aktual i PS, Ben Blushi, etj.
***
Sektori shëndetësor shqiptar sapo ka hedhur një hap të ri. Spitali jo-publik Universal Hospital Tirana tashmë sapo është hapur duke sjellë metodat më të avancuara, trajtimet dhe teknologjinë më të fundit në fushën e mjekësisë në Shqipëri.
Ambientet gjigante të Universal Hospital Tirana janë themeluar mbi një sipërfaqe të mbyllur prej 19600 m2, me 120 dhoma moderne për pacientët, 5 dhoma për ndërhyrje kirurgjikale, 2 dhoma lindjeje , etj.
Teknologjia e përdorur në këtë spital është jo vetëm më e fundit për Shqipërinë, por edhe në Ballkan dhe Evropë, madje edhe në SHBA.
Universal Hopspital Tirana është pjesë e Universal Hospitals Group, një rrjet ky mjaft i gjerë i përbërë nga 110 spitale. Bashkë me këtë investim gjigant vjen në Shqipëri një standard i lartë. Tashmë qytetarët shqiptarë mund të kujdesen për shëndetin në vendin e tyre.
Fushat në të cilat Universal Hospital Tirana janë si më poshtë:
Departamenti i Mjekësisë Interne
Kardiologji
ORL (Oto-Rhino-Laryngology)
Pediatri
IVF Department (In Vitro Fertilisation=IVF)
Gjinekologji-Obstetrik
Sëmundjet Infektive
Dermatologji
Endokrinologji
Rheumatology
Fisioterapi
Hematologji
Nefrologji
Neurologji
Onkologji
Ortopedi
Urologji
Kirurgji e Përgjithshme
Neurokirurgji
Mjekësi Ligjore
Kardiokirurgji
Kirurgji Thorakale
Laborator Klinik
Radiologji
Kirurgji Plastike dhe Rikonstruktive
Stomatologji
Oftalmologji
Gastroenterologji
Endoskopi
Immunologji
Anesteszi
Mjekësi Nukleare
Patologji
Urgjencë
e.r/NOA